Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi nuk përgjigjet për pagat e mësimdhënësve, thotë se kryeministri do të dalë sot me zgjidhje

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka dashur të flas për çështjen e pagave për mësimdhënësit nën arsyetimin se kjo “nuk është pjesë e agjendës evropiane”. Por, ai ka thënë se kryeministri do të dalë sot dhe do ta tregojë zgjidhjen për këtë çështje.

“Temat janë për integrime evropiane, jo për bindje politike. Nuk jam thirre me diskutua por me raportu. Ne e kemi zgjidhjen, sot del kryeministri e tregon zgjidhjen. Qeveria duhet me vendos në bazë të ligjit, mos e zhvendosnin mësuesin  në rrafshin social “ka mi ble drutë, ka mi shti turshia”, tha ai.

Këtë pyetje në Komisionin për integrime evropiane ia bëri deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, e cila theksoi se situata në vend nuk është e mirë.

“Edhe po të mos jetë pjesë e agjendës evropiane, ma thuaj një projekt serioz kapital në Kosovë gjatë dy viteve qeverisje. 800 milion euro po rrinë në qeveri dhe ato natyrisht po zvoglohen, i keni lënë mësimdhënësit pa bukë dhe e keni sjellë situatën më të rëndë. Kot sot ju dëgjoj tu lexua statistika dhe norma, nuk jemi në gjendje të mirë” – ka thënë Deliu-Kodra.

Zëvendëskryeministri i i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi po raporton në Komisionin për Integrime Evropiane.

Ende nuk kanë dalë pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar do të marrin paga në muajin shtator.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – ka thënë Kryeziu.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Ndërsa më 3 tetor ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2022/2023.