Bislimi: Nuk ka asnjë shtet që ka shprehur kundërshtim për liberalizimin e vizave për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në televizionin ATV ka folur për diskutimet në grupin punues për vizat në Këshillin Evropian.

Bislimi tha se nga raportimet që kanë brenda Këshillit nuk ka asnjë shtet që ka shprehur hezitime ose kundërshtime për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sot nuk është pritur votim, as nuk është pritur vendim. Sot tema është hedhur për herë të parë për diskutim në këto dy grupe punese dhe ka qenë e qartë se një pjesë e shteteve për arsye të ndryshme nuk munden sot me e deklaru votën e tyre për shkak se ka nevojë që çështja pas shqyrtimit të raportit të Bashkimit Evropian të kthehet në diskutim në parlamentet e vendeve nacionale, mirëpo raportimet që i kemi ne nga brenda na tregojnë që nuk ka pasur asnjë shtet që ka shprehur hezitime ose kundërshtime për liberalizimin e vizave për Kosovën” – ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë se janë tri lloje qëndrimesh për liberalizimin e vizave.

“Kemi tri lloje të qëndrimeve: Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”- ka thënë Bislimi.

Tutje ai ka thënë se kushti kryesor është që liberalizimi të hyjë në fuqi në momentin kur Bashkimi Evropian fillon ta funksionalizojë sistemin ETIAS, i cili përdoret për identifikimin e personave apo regjistrimin e personave që udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian.