Bislimi nuk jep përgjigje se si do të mund të bëhet kthimi i zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është duke raportuar para deputetëve në Komisionin për Integrim Evropian.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, nuk ka pranuar të përgjigjet sesi do të bëhet kthimi i serbëve në institucione pas dakordimit të arritur në Bruksel.

Ai u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra për dakordimin e targave dhe “ndërrimin e qëndrimeve”.

Ndërsa Bislimi tha që në këtë komision nuk është thirrur për dialog por për raportin për vendin.

Ai ka thënë se për kthimin e zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës pas dorëheqjes do të diskutohet në seancën e sotme ku është i ftuar kryeministri Albin Kurti në interpelancë të Kuvendit të Kosovës.

“Sikur ju ti kishit pas çerekun e informacioneve sesi është përfaqësuar Kosova deri në vitin 2021, ju ishit turpëru me ardhë. Nëse me thirrni në raportim për dialogun, unë ju tregoj të gjitha të arriturat e juve dhe pastaj ju flas për dështimet tona në shkatërrimin e atyre sukseseve që i keni mbërri ju. Me vet publikimin e tekstit të marrëveshjes ne kemi qenë transparent në detaje, ndërsa për kthimin besoj që do të diskutohet në seancën e 11:30”, tha Bislimi.

Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.