Bislimi në Varshavë: Gjatë procesit zgjedhor Kosova ka përjetuar kërcënime të sigurisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi po merr pjesë në takimin në nivel të Ministrave për Çështje Evropiane, të organizuar nga Presidenca e Polonisë e Këshillit të BE-së, që po mbahet nga Varshavë.

Nga atje Bislimi ka përmendur problemin me uebfaqen e KQZ-së të shfaqur pas mbylljes së kutive të votimit, duke e cilësuar atë si formë kërcënimi ndaj sigurisë në Kosovë.

“Ne patëm Zgjedhje në Kosovë javën e kaluar dhe e përjetuam drejtpërdrejt këtë formë të kërcënimeve të sigurisë, për sa i përket sulmeve në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, edhe në një frekuencë shumë të sofistikuar dhe intensive të shpërndarjes dhe prodhimit të informacioneve të rreme, shumë të sofistikuar për sa i përket çështjeve dhe kohës së përzgjedhur.” – tha Bislimi para gazetarëve.

Ai bëri thirrje që të gjithë së bashku të diskutojnë për t’u dhënë përgjigje kërcënimeve të sigurisë.

“Vendet tona mund të ndryshojnë në frekuencën dhe intensitetin e këtyre kërcënimeve, por ne kemi të gjithë të përbashkët praninë e tyre, prandaj është zgjidhja e duhur që të gjithë së bashku të diskutojmë përgjigjen e mundshme ndaj kërcënimeve të sigurisë.” – tha Bislimi.

Sipas Bislimit, temë diskutimi në këtë takim janë kërcënimet e sulmeve hibride ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe përballimi në mënyrë të përbashkët i sfidave që paraqiten.

Problemet që u shfaqën nga rënia e Sistemit të KQZ-së kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte njoftuar se kanë arritur të tejkalojnë problemin me publikimin e rezultateve preliminare nga procesi i votimit, i zhvilluar më 09.02.2025.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kishte njoftuar më 09.02.2025 se për shkak të dështimit të Sistemit në uebfaqen e këtij institucioni, së bashku me stafin, do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në Sistem.