Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se të martën në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat.

Bislimi ka thënë se dje në takim me përfaqësuesin e BE-së i për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë diskutuar mundësitë për dalje nga kriza pas situatës së krijuar në veri.

“Nuk ka asnjë marrëveshje për targat, nuk ka propozim të Bashkimit Evropian, jemi duke i diskutuar. Ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë e daljes nga kriza por nuk ka dakordim”-ka thënë Bislimi sot.

Bislimi i ka quajtur dezinformata lajmet lidhur me arritjen e marrëveshjes për targa dhe lajmet se ai ka pasur një takim dje me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Takimi në Bruksel ka qenë teta tetë vetëm unë me Lajçakun, rrjedhimisht çdo raportues që ka raportua për zhvillimet në Bruksel ka dezinfomu, sepse unë nuk jam dëgjua më asnjë prej gazetarëve. Asgjë që është thënë në media nuk përkon. Është joserioze kur media kanë shpërnda definfomatat, që Bislimi është taku me Petkoviqin. Petkoviq nuk ka qenë fare në Bruksel”-ka thënë tutje Bisilimi.

Ai ka thënë se në katër muajt e fundit kanë ndodhur shumë gjera që lidhen me dialogun.

“Pozicioni është që në katër muajt e fundit kanë ndodhur shumë gjera që lidhen me dialogun. Me diskutimin më 18 gusht Kosova dhe Serbia janë dakorduar për takime, e dyta ka qenë Procesi i Berlinit ku Kosova është trajtua e barabartë”-ka thënë Bislimi.

Bislimi dhe Lajçak janë takuar dje në Bruksel.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Lajçak ka thënë se në takimin e sotëm kanë diskutuar për atë që siç e ka quajtur ai “krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka thënë se në veçanti është diskutuar edhe çështja e targave.