
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Christoph Ploss, Foto: ZKM
Bislimi: Kosova ka përafruar politikën e jashtme me atë të BE-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar sot në Prishtinë deputetin e Bundestagut gjerman, Christoph Ploss.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, thuhet që kanë diskutuar për rrugëtimin evropian të Kosovës, ku Bislimi ka thënë se Kosova ka përafruar politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Gjermania është një nga aleatët më të fuqishëm dhe shtet mik i Kosovës, përderisa marrëdhëniet mes dy shteteve thellohen në kuadër të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët strategjik.
“Energjia e ripërtëritshme dhe agjenda e gjelbër qëndrojnë lart në agjendë dhe mbështetje të Gjermanisë ndaj Kosovës.” – thuhet tutje në njoftim.
Bislimi i ka përmendur Plossit edhe aplikimet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, e ka thënë se janë bërë hapa drejt liberalizimit të vizave.
Në fund, ai ka falënderuar deputetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve gjermane ndaj Kosovës, veçanërisht Bundestagut gjerman, mbi procesin e integrimit evropian.
Të martën, ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Presidenza çeke e Këshillit të BE-së bëri të ditur përmes rrjetit Twitter se ky veprim sjell Kosovën një hap më afër në rrugëtimin evropian.
Ambasadorët e BE-së miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën