Bislimi: Këshilltarët e Thaçit e kanë përgatitur vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për mandat të qeverisë së re, Avdullah Hotin.

Bislimi ka hedhur dyshime në lidhje me këtë vendim, duke aloduar se vendimin e kanë përgatitur këshilltarët e Thaçit.

“Ekipi i juristëve i zyrës së presidentit të vendit, përmes një njoftimi të postuar në faqen e internetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më datën 28 maj, konstatoi që kushtetuta e Kosovës është në harmoni të plotë me parimet bazë dhe frymën e shprehur në dekretin e presidentit të vendit të datës 30 prill, që e nominon z. Hoti si mandatarë për formimin e qeverisë së re”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tha presidenti e falënderoi Gjykatën në konferencë për media.

“Mësohet që ky dokument është draftuar pak orë para publikimit të dekretit të presidentit të vendit në pasditen e 30 prillit. Menjëherë pas publikimit të dokumentit, presidenti i vendit përmes një konference për media iu falenderua gjykatës kushtetuese për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndër vite”, ka shtuar Bislimi.

Gjykata Kushtetuese të enjten pasdite nxori vendimin mbi kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër të ri të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj ka shkruar se nuk ka gjetur asnjë shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit të vendit me vendimin për të dekretuar një kandidat që nuk është propozuar nga partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i hap rrugë krijimit të Qeverisë nga ana e Avdullah Hoti.