Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi informon kabinetin qeveritar mbi zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane Era 2

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka informuar sot kabinetin qeveritar mbi Planin e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane Era 2 për periudhën janar-mars 2022.

Bislimi ka thënë se ka edhe një vitë kohë deri në zbatimin e këtij plani.

“Kemi vetëm edhe një vit për zbatimin e këtij plani. Është e domosdoshme që projektligjet që gjenden ne ministritë tuaja t’i sjellin në qeveri pastaj t’i dërgojmë në Kuvend sa më shpejtë të jetë e mundur.

Bislimi ka thënë se rreth 22 projektligje janë në vonesa në Kuvend ndonëse shumica prej tyre janë miratua më qeveri.

“Deri në mars 2022 janë miratua vetëm 2 ligje të Agjendës për Reforma Evropiane. Rreth 22 projektligje janë në vonesa në Kuvend ndonëse shumica prej tyre janë miratua më qeveri”, ka thënë ai.

Tutje Bislimi ka thënë se Reforma Evropiane Era 2 përmban 15 prioritete.

“Era dy përmban 15 prioritete. Deri në mars 2022 janë zbatua 1/3 e gjitha reformave. Në zbatim 113 reforma, ka pas vonesa në zbatim në 104 reforma. Rreth 30 reforma nuk janë zbatuar”, ka thënë ai sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Më 11 gusht të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim për miratimin Planit e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II).

Ky dokument përcakton veprimet e reformave për zbatim të fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në BE.

Këto prioritete shërbejnë në përmbushjen e detyrimeve të parapara edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Prioritetet e ERA II janë negociuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian dhe janë lansuar nga Kryeministri dhe Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ato do të zbatohen përmes këtij plani dyvjeçar të veprimit.