Bislimi i LDK-së: Kosova me kaçik të vetin nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë

Ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, në debatin “Kallxo Pernime” ka komentuar njërën nga pikat e marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, në të cilën Kosova ishte pajtuar të mos provonte për një vit të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo pikë nuk nënkupton që Kosova ka hequr dorë nga anëtarësimi në këto organizata, por vetëm është marrë një pushim 1 vjeçar.

“Nuk kemi hequr dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Është një pushim 1 vjeçar. Jemi lodhë shumë tu nga nëpër organizata. I bie një vjet po i marrim pushim sepse e dimë se çka na ka ndodhë me Qeverinë Haradinaj paraprakisht. Ka qenë kërkesë e miqve tanë që të pauzojmë 1 vit. Me vendosë me apliku ose mos me vendosë me apliku, nuk do të thotë me heq dorë nga shtetësia”, tha Bislimi.

Sipas tij Kosova me “kaçik” të vetin nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë.

“Në asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ishim anëtarësuar me kaçik tonin, por jemi anëtarësu me ndihmën e miqve”, tha Bislimi.

 

Të ftuar në debatin e sotëm janë: Faton Peci nga Presidenca, Fitore Pacolli nga LVV, Faton Bislimi nga LDK, Ariana Shoshi Musliu nga PDK dhe Liza Gashi, ish zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.