Bislimi: Grafitet nacionaliste nga grupet kriminale janë treguese për motivet prapa veprimeve të dhunshme

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në EEAS, Charles Fries.

Ata kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Bislimi dënoi dhunën e përdorur ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, duke shtuar se protesta është keqpërdorur nga bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi për qëllimet dhe motivet e tyre kriminale.

“Grafitet nacionaliste dhe pro-kremlinit nga ekstremistë të maskuar e grupe kriminale, janë po ashtu tregues kryesorë të motiveve prapa veprimeve të dhunshme, të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”- ka thënë Bislimi.

Sipas njoftimit të Zyrë së Kryeministrit, Fries shprehu vlerësimin për qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë dhe progresin që ka njohur vendi viteve të fundit.

Në këtë takim zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa Zëvendës Sekretari Fries nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Në njoftim thuhet se ministri Sveçla e informoi po ashtu Fries për zhvillimet e fundit nga dita e djeshme dhe e sotme në veri të vendit.