Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe Përfaqësuesi special i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, 22 shkurt 2022, Foto: Zyra e Kryeministrit e Kosovës

Bislimi flet për deklaratën e Lajçakut se ‘Çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut'

Zëvendëskryeministri dhe njëherit kryenegociatori, Besnik Bislimi, ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës është diskutuar në Bruksel.

Bislimi u pyet nga deputetja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra nëse Qeveria e Kosovës ka bërë kërkesë që shqiptarët nga Lugina e Preshevës të jenë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi.

“Po iu referohem një deklarate të juaj, për përfshirjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në dialogun Kosovë – Serbi. Ju keni thënë disa herë dhe është potencuar me të drejtë, se ka diskriminim të tyre dhe është kërkuar të përfshihen në dialog. Nëse i referohem një interviste të Lajçak, të dhënë në njërën prej mediave tona para dy jave, ai thotë se asnjëherë zyrtarisht nuk ka marrë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që shqiptarët e Preshevës të bëhen pjesë zyrtare në dialog. A keni bërë ndonjëherë kërkesë zyrtare, apo keni deklaruar diçka ndryshe e keni vepruar ndryshe?”, pyeti Deliu- Kodra.

Duke komentuar deklaratën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili në një intervistë në ‘KallxoPernime’, kishte thënë se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut, Bislimi në Komisionin për Integrime Evropiane tha se “ne nuk kemi thënë që shqiptarët e Luginës do të kyçen në dialog”.

“Në dialog merr pjesë kryetari i shtetit, domthënë kryeministri dhe kryenegociatori. Domethënë, për me hy dikush i Luginës duhet me dalë dikush prej këtyre dyve, ose unë ose kryeministri. Ne nuk kemi thënë që shqiptarët e Luginës do të kyçen në dialog, por tema apo çështja e Luginës do të përfshihet në dialog”, tha Bislimi.

“Pothuajse nuk ka takime që kemi mbajtur në Bruksel, ku nuk jemi detyruar me diskutu për temat e Luginës së Preshevës. Ka pasur raste kur nga zyra e zotit Lajçak, unë e kam thirrë kryetaren e Preshevës, e kemi hapur telefonin dhe kemi biseduar të dytë për problemet që kanë qenë atje me vërshimet dhe mos pagesën e mbështetjes që ka dhënë Qeveria”.

Tutje, kryenegociatori Bislmi tha se për çdo takim në Bruksel, ka informuar kryetarin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, rreth asaj se çka është dsikutuar në Bruksel.

Ai deklaroi se interesi i Serbisë ka qenë futja në agjendë të dialogut, tema e Preshevës, ndërsa sipas tij, nuk është në interes të Kosovës të hapen agjenda të reja.

“Ajo çka ka thënë zoti Lajçak, është se nuk ka pasur asnjëherë kërkesë zyrtare me shkrim që të futet në agjendë tema e Preshevës. Nuk ka pasur se ne kemi thënë se nuk hapim agjenda të reja. Do të hyjnë në marrëveshjen finale.  Ka qenë interesi i Serbisë që të fusim agjenda të reja. Pastaj në propozimin që ne kemi dhënë për temat në agjendën finale, thuhet të drejtat e minoriteteve në Kosovë dhe Serbi. Kjo është mënyra se si ne e kemi trajtuar Luginën e Preshevës”, deklaroi Bislimi.

Në një intervistë në ‘KallxoPernime’, në muajin qershor, Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, kishte thënë se çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut dhe nëse Kosova dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut, atëherë i takon Kosovës të propozojë këtë dhe pastaj të shihet nëse do të pajtohet edhe Serbia, sepse janë palët ato që vendosin se çka është pjesë e agjendës.

Lajçak: Çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut