Bislimi: Është për t'u habitur që Borrell ende nuk kërkoi largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Kryenegociatori i Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se është për t’u habitur që Bashkimi Evropian nuk ka filluar procedurat për largim të masave ndaj Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bratisllavës.

Bislimi në një konferencë pas takimit në Bruksel ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Bratisllavë tetë ditë më parë është përgjigje ndaj kërkesave të BE-së.

“Në Bratisllavë kemi bërë një marrëveshje, titulli i së cilës tregon që ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe u përgjigjet këtyre kërkesave. Për ne ka qenë e qartë që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe për ne është hapi që edhe 8 ditë pas dakordimit në Bratisllavë ende nuk kemi letër nga Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit”- ka deklaruar Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës shtoi se nuk janë zbatuar të gjitha masat nga Kosova por është treguar rruga për normalizim të situatës.

“Nuk mund të themi që kemi zbatuar të gjitha masat, një prej masave është edhe mbajtja e zgjedhjeve por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin  të situatës. Mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese. Gjetja e rrugës nënkupton edhe instrumentin për heqjen e masave ndëshkuese”- tha tutje ai.

Bislimi ka thënë se me Mirosllav Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.

Dje, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Bashkimit Evropian nëse BE ka konsideruar që të fillojë me tërheqjen e masave ndaj Kosovës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.

BE nuk tregon nëse do i largojë masat ndaj Kosovës, fokusi i takimit të nesërm – hapat drejt shtendosjes së situatës në veri