Bislimi e quan Prokurorinë 'institucion politik': Nagip Krasniqi i ka sjell KEK-ut 107 milionë euro profit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane është pyetur për arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili është pezulluar nga kjo pozitë.

Bislimi ka thënë se Krasniqi i ka sjellur KEK-ut 107 milionë euro profit.

Ai e ka quajtur Prokurorinë e Kosovës, ‘institucion politik’ teksa ka thënë se “Prokuroria po merret me rastin e Krasniqit, por nuk po merret me rastet e korrupsionit që janë deponuar nga menaxhmenti i KEK-ut”.

“Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK. Jam i vetëdijshëm se 30 raste të tilla janë deponuar në Prokurori nga menaxhmenti i KEK-ut. S’ka interes nga një institucioni që unë thoja se është politik që është Prokuroria e Kosovës të merret me raste. Por, ka interes të merret me rastin e menaxherit që një kompani që ka punuar me humbje e ka sjellë në profit 107 milionë euro. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit, për të cilën është dashur të arrestohet. Si ka mundësi që një kompani publike të ketë 107 milionë euro profit dhe asnjëra të mos përfundojë në xhepa të politikanëve. Ky është problemi i madh, andaj është dashur të arrestohet”- ka thënë Bislimi.

Bislimi është pyetur për rastin nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit. Krasniqi tashmë gjendet në paraburgim.

Më 25 prill, bordi i drejtorëve të KEK-ut mori vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. kryeshefit ekzekutiv, bordi ka emëruar Perparim Kabashin, aktualisht drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Gjatë raportimit në komison, Bislimi është pyetur nga kryesuesja e Komisionit, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, për çështjen e Martin Berishajt.

Bislimi rastin e Berishajt e ka quajtur “ konstrukt artificial” të krijuar nga subjektet politike në Kosovë.

“E dini shumë mirë se rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur kundër tij. Është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj me shpresë se mund të nxjerrët ndonjë përfitim politik”- ka thënë Bislimi.