Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi e konfirmon që Kosova është në prag të finalizimit të marrëveshjes për rrymën në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka pranuar se më 9 qershor, pala serbe është takuar me KEDS-in në Stamboll, për ofrimin e garancive në lidhje me furnizimin dhe pagesën e rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ai ka deklaruar se Kosova është shumë afër finalizimit të dakordimit pёr nisjen e zbatimit tё udhërrëfyesit tё energjisë, qё synon vendosjen nё binarё tё problematikёs sё rrymës së shpenzuar dhe jo të faturuar në veri të vendit.

Këtë e bëri të ditur në një postim në rrjetin social “Facebook”.

“Kosova ёshtё shumё afёr finalizimit tё dakordimit pёr nisjen e zbatimit tё udhёrrёfyesit tё energjisё, qё synon vendosjen nё binarё tё problematikёs sё furnizimit dhe pagesёs sё energjisё nё katër komunat nё veri tё vendit. Njё problem qё ёshtё krijuar, mirёmbajtur dhe trashёguar tutje nga tё gjitha qeveritё e deritanishme”, ka shkruar Bislimi.

Bislimi ka thënë se në emër të Kosovës negocion vetëm Qeveria e Kosovës dhe se takimi i KEDS me pakën serbe, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015.

“Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi, dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka shtuar se çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje përtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015.

“Nuk do ketё asnjё operator shtesё pёrveç Elektrosever dhe asnjё shёrbim shtesё nё fushёn e distribucionit, pёrtej katër shёrbimeve të cekura më lart, tё dakorduara nё vitin 2015 dhe pёrtej katër komunave nё veri tё Republikёs Kosovёs”, shtoi Bislimi.

Tutje, zëvendëskryeministri ka thënë se ditët në vijim janë kritike për finalizimin e dakordimit për nisjen e zbatimit tё udhёrrёfyesit tё energjisё.

“Ditët në vijim janë kritike për finalizimin e dakordimit për nisjen e zbatimit tё udhёrrёfyesit tё energjisё, me ç’rast mund të ketë fushata dezinformimi që qëllim kanë dëmtimin e procesit dhe mirëmbajtjen e problemit. Andaj, i ftoj të gjithë që të jemi edhe më të kujdesshëm në pranimin dhe shpërndarjen e informatave të pakonfirmuara. Për çdo zhvillim zyrtar, do t‘iu mbajmë të informuar”, ka shkruar Bislimi.

Ditë më parë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se ka pasur bisedime me palën turke, me KEDS-in për qasjen në veri të Kosovës duke shtuar se kanë mbetur vetëm disa detaje teknike.

“Sot kemi pasur bisedime me palën turke, me KEDS-in për qasje në veri të Kosovës. Për këtë jemi marrë vesh kanë mbetur disa detaje teknike dhe besoj që për këto do të pajtohemi dhe të merremi vesh për ditët në vijim”, u shpreh Vuçiq.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Rreth 13 milionë euro ka paguar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) për muajin janar dhe shkurt të vitit 2022 për humbjet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërsa pritet kosto me e lartë për muajin mars.

Për shkak të këtyre pagesave, KOSTT ka thënë se është në një gjendje jashtëzakonisht të rënduar financiare.

“Kostoja për muajin janar 2022 është afër € 8 milionë ndërkaq për muajin shkurt 2022 është mbi € 5 milionë. Sa i përket muajit mars, ende nuk mund të ofrohen të dhënat e sakta meqenëse muaji ende nuk ka përfunduar, por kostoja financiare për muajin mars pritet të jetë dukshëm më e lartë… Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonishtë e rënduar”, kishin thënë nga KOSTT për KALLXO.com.

Në maj të vitit të 2021, Kuvendi i Kosovës kishte obliguar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

KOSTT ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të sjellë falimentimin e këtij institucioni në tremujorin e parë të vitit 2022.

Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 kap vlerën prej 40,849,659 euro ndërsa vetëm për muajt nëntor dhe dhjetor janë paguar 18 milionë euro.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vjet që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar edhe pse tashmë bordi është fundksional.

Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë. Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.