Bislimi: Draftligji i anuluar ishte përplot gabime

Bislim Bislimi, zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës tha gjatë emisionit “Kallxo Përnime” se draftligji (projektligji) i anuluar për kinematografinë ishte përplot gabime.

Ai thotë se draftimi i Ligjit për kinematografinë ka nisur vite më parë dhe është hartuar edhe zhvilluar edhe gjatë 2021.

“Ne e kemi gjetur draftligjin dhe periudhën kohore kur duhet të dorëzohet për miratim, por, për shkak të shumë gabimeve dhe paqartësive është anuluar”, tha ai.

Ndërsa, Valmira Baruti, producente, tha se ndryshimet e pritura nga qeverisja e Hajrulla Çekut në kulturë nuk po shihen.

Ajo tha se në komisionin për hartimin e Projektligjit ishin përfshirë edhe persona që mashtruan QKK-në.

“Persona që ishin të përfshirë në projektet me probleme financiare, për të cilat është shkarkuar drejtori i QKK-së, ishin anëtarë të komisioni për hartimin e draftligjit për kinematografinë”, tha ajo.

Projektligji i fundit për kinematografinë është tërhequr nga MKRS pas dëgjimit publik në fund të vitin të kaluar.