Bislimi: Do t'i zbatojmë rekomandimet e KE-së, pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se ekzekutivi kosovar do t’i zbatojë rekomandimet nga Raporti i Progresit i Komisionit Europian, që u publikua më 30.10.2024, pavarësisht “masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës”.
Në një konferencë të përbashkët me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ai ka deklaruar se me gjithë progresin e shënuar, Kosova do të shoh se ku duhet punuar me shumë për ta përmirësuar këtë raport.
“Si shtet i përfshirë në Pakon e Zgjerimit, Kosova beson dhe përfaqëson vlera evropiane të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, prandaj sot kur po pranojmë raportin vjetor të vendit është ditë e rëndësishme sepse arrijmë të shohim ku është kryer punë e mirë nga Republika e Kosovës dhe ku duhet të vendosim fokusin tani e tutje” – ka thënë Bislimi.
Në prani të përfaqësuesit të BE-së, ai e shfrytëzoi rastin për të kërkuar heqjen e “masave të padrejta”, pasi sipas tij, tashmë janë përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së.
“Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve, por edhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian, pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi. Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe bazuar në rekomandimet e përfaqësuesit Borell presim që Këshilli ta merr një vendim të shpejt për heqje e tyre”- ka thënë Bislimi.
Ai ka përmendur edhe disa nga vlerësimet pozitive që i janë bërë Kosovës në këtë raport sa i përket politikës së jashtme dhe progresin e shënuar në agjendën e zhvillimit për bashkëpunim rajonal.
“Raporti e përgëzon Kosovën për politiken e jashtme ndaj luftës në Ukrainë për vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje të plotë me ato të BE-së, si dhe për progresin e shënuar në përafrimin e politikës së vizave me atë të BE-së. Raporti vlerëson pozitivisht edhe zhvillimet në agjendën e bashkëpunimin rajonal, duke veçuar përfaqësimin e Kosovës në CEFTA” – ka thënë Bislimi.
Raporti i Progresit ka nxjerr në pah edhe progresin që Kosova ka bërë në sistemin e drejtësisë.
“Tek blloku i kritereve politike raporti nxjerrë në pah arritjet kyçe në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e barazisë gjinore”- është shprehur Bislimi.
Ndër të tjera, ai tha se mirëpresin edhe rekomandimet që i ofron ky raport.
“Ne e mirëpresim vlerësimin e progresit të Komisionit Evropian, por edhe më shumë i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti të cilat do merren seriozisht për periudhën e ardhshme” – tha Bislimi.
Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së, Aivo Orav bëri me dije së cilat janë reformat bazë që Kosova duhet t’i përmbush për të qenë pjesë e BE-së.
“Ka një shtytje të qartë për zgjerim dhe Kosova duhet t’i implemtoj reformat me qëllim që të mund të aderoj kur të vie koha: sundimi i ligjit, të drejtat fundamentale, reformat në administratën publike përbejnë ato që i quajmë baza e procesit të integrimit” – ka thënë Orav.
Ndërkaq nga përfaqësuesi i BE-së u vlerësua edhe aspekti i sigurisë e sipas tij kjo u tregua gjatë reagimit të Policisë së Kosovës në rastin e Banjskës.
“Progresi në aspektin e drejtësisë dhe sigurisë po ashtu është vlerësuar si pozitive. Sa i përket sulmit ne Banjsk dhe reagimi ndaj tij besoj që ka treguar nivelin e lartë të profesionalizmit të Policisë së Kosovës”- ka thënë Orav.
Ai foli edhe për çështjet në të cilat Kosova ka shënuar progres të kufizuar, duke përmendur investimet, arsimin dhe sfidat e Kuvendit të Kosovës për zbatimin e kompetencave të veta.
“Kemi progres të kufizuar në fushat të cilat do t’ia mundësonin Kosovës t’i bëjë ballë presionit të konkurrueshmërisë në BE, sa i përket krahut të punës, investimeve në sektorin privat dhe në arsim, po ashtu Kuvendi është ballafaquar me sfida në ekzekutimin e kompetencave të veta me procese komplekse”- ka thënë ai.
Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.