Besnik Bislimi në Komisionin për Integrime Evropiane, 26.01.2024

Bislimi - deputetëve: Bëjini presion Prokurorisë që ta publikojë raportin për Banjskën, sepse nuk mundemi ne me publiku

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se i kanë dërguar një raport 48-faqësh ndërkombëtarëve lidhur me sulmin në Banjskë.

Sipas tij, raportin me publikun mund ta ndajë Prokuroria, dhe jo qeveritarët.

“Ndihmonani me bë presion që me u publiku raporti”- iu drejtua Bislimi deputetëve në Komisionin për Integrime Evropiane.

Kësaj deklarate të zv/kryeministrit i parapriu pyetja e deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, e cila ka kërkuar nga Besnik Bislimi raport lidhur me sulmin në Banjskë të 24 shtatorit 2023.

“E keni një praktikë të mirë ju të VV-së që edhe masat bëni propagandë që janë mirë. Se si është gjendja në veri po shihet, keni marrë vendime të pamatura” – tha ajo.

“Ku është neglizhenca e Qeverisë që sulmi në Banjskë ka ndodhë dhe nuk e kemi një raport, si Qeveria nuk është në gjendje me bë një raport se çka ka ndodhë? Tregonani saktë e mos të flasim për rezultate e suksese” – ka pyetur Kadrijaj.

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Në kundërpërgjigjen e Policisë, disa terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Millan Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.