Zëvendëskryeministri i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim, dhe Dialog, i Kosovës, Besnik Bislimi

Bislimi: Bisedimet Kosovë-Serbi do të mbahen në pjesën e dytë të qershorit

Në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, është duke raportuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnilk Bislimi në lidhje me takimin e fundit në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi.

Gazmend Gjyshinca, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të dijë për informacionin që ka marrë nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ka pasur deklarata që në fakt juve u është dorëzuar më herët ky informacion, kërkojmë nga ju të na tregoni çka përmban ky informacion dhe e çfarë natyre është. A mund të na tregoni se me cilët komisoner jeni takuar dhe cila ka qenë tema. Dhe a mund të na tregoni për çështjen e liberalizimit të vizave”, pyeti Gjyshinca, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Por, ky i fundit nuk dha shumë detaje, ndonëse tha që raporti në fjalë u ka shkuar akterëve për të cilët mendon që është e nevojshme.

“Nuk ka pasur bisedime, ka pasur raportime për dialogun e deri tanishëm, nuk do të ketë bisedime para pjesës së dytë të qershorit”, tha ai.

Bislimi tha se dokumentet që ka marrë në zyrën e BE-së, fascilituese të dialogut mes dy vendeve, ua ka dhënë krerëve institucional e partiak.

“Dokumenti nuk është publik, kam për detyrë që t’i informoj presidentin, kryeministrin dhe kryetarët e partive të cilëve sot ua kam dërguar në mëngjes”, tha ai.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti dhe Ariana Musliu- Shoshi kërkuan që raporti t’u shkoj edhe deputetëve të Komisionit dhe jo vetëm kryetarëve të partive.

“Ne nuk jemi republikë qeveritare, jemi republikë parlamentare dhe ju duhet të na përgjigjeni neve”, tha Haliti.

Krejt çfarë Bislimi ka sqaruar në lidhje me dokumentacionin e marrur në BE, ishte se dokumentacioni i pranuar përmban të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut.

Bislimi tha që dokumentacioni në fjalë nuk është i detajuar se çka ka ndodhur në secilin takim dhe cilat kanë qenë ndryshimet nga takimi në takim.

“Dokumentacioni nga Lajçak përmban marrëveshjet, përshkrimet e marrëveshjeve, deklarata e shtypit. Nuk e përmban dinamikën e bisedimeve, nuk i përmban ndryshimet e palave nga fillimi deri në fund, nuk ka detaje”, tha ai.

Në raportimin e tij para komisionit, zëvendëskryeministri Blisimi kritikoi qeveritë e kaluara që nuk kanë lënë dokumente për këtë proces.