
Bislimi: BE-ja dhe Serbia nuk paraqitën asgjë, Kurti prezantoi një draft substancial
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se në takimin e djeshëm në Bruksel, as Bashkimi Europian por edhe as Serbia nuk paraqitën ndonjë propozim.
Reagimi i Bislimit erdhi pas publikimit të fundit nga ana e BE-së se dje ka pasur një propozim në tavolinën negociuese në takimin e nivelit të lartë.
Ai thotë se drafti i i fundit i të dërguarit special të BE-sē për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, u nda me kryenegociatorin e Kosovës më 19 korrik
“Drafti i fundit i të dërguarit special të BE-sē për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, u nda me kryenegociatorin e Kosovës më 19 korrik. Ofronte një modifikim margjinal në krahasim me draftin e mëparshëm. Në takimin e nivelit të lartë me 14 shtator në Bruksel, vetëm Kryeministri i Kosovës prezantoi një draft substancial dhe gjithëpërfshirës”- thotë ai.
Sipas Bislimit, as BE si lehtësuese por as edhe Serbia si palë nuk paraqitën asgjë përveç se “akomoduan kërkesën e Serbisë” për t’u fokusuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“BE-ja dhe Serbia nuk paraqitën asgjë, por këmbëngulën për të akomoduar kërkesën e Serbisë për t’u fokusuar vetëm në AKSHS. Çdo raportim alternativ është një shtrembërim i qartë dhe i qëllimshëm i së vërtetës”- ka shkruar zëvendëskryeministri.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano edhe njëherë ka thënë se Kosova nuk ka marrë hapa të mirëfilltë për shtendosjen e situatës në veri, andaj edhe masat kufizuese vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Ne nuk e kemi parë de-përshkallëzimin ende, ne nuk kemi parë hapa të mirëfilltë ende, janë marrë disa hapa, të cilët ne i mirëpresim por duhen ende hapa, pra ne kemi parë një de-përshkallëzim të mirëfilltë, në të kundërtën fatkeqësisht ka potencial për eslakim”- tha ai.
Stano në një konferencë për media i tha gazetarëve që masat mund edhe të shtohen varësisht nga situata.
Masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës janë vendosur nga qershori, dhe ende nuk janë larguar.
Pas rreth katër muajve, më 14 shtator, në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fillimisht janë takuar në takime të ndara me përfaqësuesit e BE-së e më pas kan vazhduar me takimn trepalësh.
Ky takim përfundoi pa rezultate. Lajmin për këtë i pari e dha për media, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas tij foli shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, i cili tha se takimi është mbyllur pa progres. Borrell deklaroi se kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm të fillojë me hapa konkret për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e ka pranuar një kushtëzim nga pala serbe, që kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe më pas zbatimin e marrëveshjeve tjera.
Mirëpo, Kurti tha se një kushtëzim i tillë është pranuar nga emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak që siç u shpreh kryeministri “ e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues”.