Sonja Biserko - Foto: REL

Biserko: Nuk do të ishte veprim i mençur që Serbia ta refuzojë planin franko-gjerman

Analistja serbe, Sonja Biserko, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ende nuk ka dhënë ndonjë deklarim nëse do ta pranojë planin franko-gjerman.

Biserko në një intervistë në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se refuzimin e këtij plani e ka bërë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Ministri ynë i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë që Serbia nuk mund ta pranojë dhe nuk do ta pranojë këtë ofertë, pra, ky refuzim ka ardhur nga ministri Daçiq e jo nga vetë Vuçiqi. Por kjo vlen sepse ata gjithmonë i kanë pasur rolet e ndara, prandaj edhe ky refuzim duhet të merret seriozisht” – ka thënë ajo.

Biserko ka thënë se Serbia nuk duhet ta refuzojë planin franko-gjerman, sepse, sipas saj, është më e shumta që mund të marrë.

“Unë nuk e kam parë këtë marrëveshje, sikur që nuk e kanë parë shumica e njerëzve. Mirëpo, shumica e njerëzve po thonë që ajo ofron më të shumtën që mund të marrë Serbia në këtë moment, dhe që nuk do të ishte veprim i mençur që Serbia ta refuzojë këtë plan” – ka thënë ajo.