Birra me vëllain e Hashim Thaçit pezullohet drejtori i Burgut të Dyzit

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj është suspenduar nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Nehat Thaqi.

Lajmin e ka konfirmuar SHKK me anë të një përgjigje drejtuar KALLXO.com.

“Lidhur me rastin në fjalë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vendosur për pezullim të përkohshëm nga puna të U. D Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, dhe njëkohësisht ka ngritur komision hetimor lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së për KALLXO.com.

Drejtori Buleshkaj është pezulluar nga puna për shkak që i njëjti ka shkelur masat e vendosura nga organet e rendit dhe Qeveria e Kosovës për anulimin dhe mospmarrjen pjesë në ahengje apo aktivitete të ndryshme në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë COVID-19.

Në një aktivitet që dyshohet se ka ndodhur të shtunën, Burim Buleshkaj nën shoqërinë e vëllait të Presidentit Hashim Thaçi, Shefit të Njësive Speciale Amir Gërguri dhe disa personave të tjerë është parë në një fotografi.

KALLXO.com raportoi sot edhe për suspendimin e Shefit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri.

Lajmin për suspendimin e Gërgurit e ka konfirmuar vetë Drejtori Rashit Qalaj për KALLXO.com.

Birra me vëllain e Hashim Thaçit, suspendohet Amir Gërguri