Foto: REL/AFP

BIRN trajnon gazetarët për teknikat e raportimit dhe verifikimin e fakteve

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) sot ka mbajtur një trajnim online me mbi 20 gazetarë dhe studentë të gazetarisë për teknikat e raportimit dhe verifikimin e fakteve.

Në këtë trajnim kanë ligjëruar Jaroslav Valuch nga South East European Network for Professionalization of Media (SEENPM) dhe Kreshnik Gashi – autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të ndjekin një ligjëratë nga Jaroslav Valuch mbi monitorimin, analizimin e informacioneve të rreme dhe deinformatave që kanë të bëjnë me COVID-19, procesin e verifikimit të fakteve dhe mjetet që përdoren në këtë proces.

Pas Valuch, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të ndjekin edhe ligjëratën nga Kreshnik Gashi, autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, në lidhje me mbrojtjen e identitetit dhe privatësinë e të prekurve nga COVID-19, stigmatizimin e tyre në shoqëri, hulumtimin dhe monitorimin e shpenzimit të parasë publike në kohën e pandemisë.

Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe komente në lidhje me temat të cilat janë trajtuar gjatë trajnimit.

Të gjithë pjesëmarrësve u është dhënë mundësia që pas trajnimit të dërgojnë propozime për artikuj, në kuadër të temave që janë trajtuar gjatë trajnimit online.

Propozimet e tyre do të shqyrtohen nga redaktorët përgjegjës të KALLXO.com dhe më pas do të bëhet përzgjedhja e tyre.

Artikujt të cilët do të publikohen në KALLXO.com do të shpërblehen.

Trajnimi online, publikimi i artikujve dhe shpërblimi i tyre është realizuar në kuadër të projektit “Debunking Misinformation in South East Europe” në bashkëpunim me South East European Network for Professionalization of Media (SEENPM)