BIRN trajnon gazetarët në raportimin e drejtësisë tranzicionale

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative filloi në Beograd një kurs tre ditor për të trajnuar gazetarë nga e gjithë ish-Jugosllavia në raportimin e gjyqeve të krimeve të luftës dhe çështje të tjera të drejtësisë tranzicionale.

 

Filloi të hënën në Beograd kursi trajnues tre ditor mbi raportimin e drejtësisë tranzicionale, i organizuar nga BIRN në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP.

Një total prej 25 reporterësh nga vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë po trajnohen nga gazetarë me përvojë në mbulimin e gjyqeve të krimeve të luftës dhe temave të drejtësisë tranzicionale, dhe nga ekspertë që janë të përfshirë direkt në proceset ligjore, siç janë prokurorë dhe zyrtarë të gjykatës.

Pjesëmarrësve iu drejtua në fillim të kursit Francine Pickup, përfaqësuesja e UNDP në Serbi, e cila theksoi se në rajon ka ende qindra raste krimesh lufte që do të gjykohen dhe se ky trajnim mund t’i ndihmojë gazetarët të trajtojnë sfidat me të cilat mund të përballen gjatë raportimit të tyre.

“Shpresojmë që ky trajnim do t’ju ndihmojë në raportimin tuaj dhe do t’ju këshillojë se si të forconi marrëdhëniet tuaja me institucionet përkatëse”, tha Pickup.

Përveç analizimit të procedurave kryesore penale, praktikave më të mira për raportimin e çështjeve dhe burimeve të informacionit për gazetarët, kursi përqendrohet gjithashtu në rolin që luajnë viktimat në proceset e gjykimit të krimeve të luftës.

Ekspertët në panelet e kursit përfshijnë Ivan Jovanoviç nga Projekti Rajonal i UNDP-së për Krimet e Luftës, Nemanja Stjepanoviç nga Regjistgri i Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, Zëdhënësi i Prokurorisë Shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë Boris Grubjesiç, zëdhënësja e Zyrës së Avokatit të Shtetit të Kroacisë Martina Mihordin dhe Vasilije Seratliç, zv/prokurore krimesh lufte në Zyrën e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi.

Drejtoresha Rajonale e BIRN, Marija Ristiç, tha se ideja e kursit trajnues ishte të shikojmë përtej procedurave në gjyqet e krimeve të luftës dhe të përdorim arkivat që gjykatat kanë ndërtuar dhe trashëgiminë e gjykimeve të tyre si material tregimi.

“Kjo punë është shumë shpërblyese sepse ne po u japim zë viktimave dhe, ndonjëherë, nëse nuk do të ishte për ne, historitë e tyre nuk do të tregoheshin kurrë”, tha Ristiç.

Pas kursit, pjesëmarrësve do t’u kërkohet të dorëzojnë një artikull mbi problemet e drejtësisë kalimtare në Ballkan.

Nga pikët dhe vlerësimet e përgjithshme të pjesëmarrësve gjatë kursit, BIRN do të zgjedhë dhjetë gazetarë të cilët do të marrin pjesë në një vizitë studimore në Hagë që do të mbahet në nëntor.

Gazetarët që propozojnë historitë më të mira do të marrin një grant prej 1.000 eurosh nga BIRN për të zhvilluar më tej punën e tyre në bashkëpunim me grupin me përvojë të redaktorëve të BIRN.

Projekti po mbështetet nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd dhe Komisioni Europian.

Sekretarja e parë e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar Chantel Care tha se është e rëndësishme që gazetarët të forcojnë rrjetet dhe partneritetet e tyre dhe u tha pjesëmarrësve “ju keni mundësinë ta bëni këtë këtu”.