
BIRN shpërblehet me Çmimin e Lirisë së Shtypit nga organizata Reporterët pa Kufi
Zyra në Vjenë e organizatës Reporterët pa Kufi ka njoftuar se Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN është shpërblyer me Çmimin e Lirisë së Shtypit – Një sinjal për Europën për gazetarinë e guximshme hulumtuese në Europën Lindore dhe Juglindore dhe për përkushtimin në luftën për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe drejtësinë për viktimat e krimeve të luftës.
Me çmim gjithashtu u nderua themeluesja e BIRN-it, Gordana Igriq, e cila shërbeu si drejtoreshë rajonale e organizatës deri në maj 2018, për punën e saj në krijimin e rrjetit.
“Ne jemi të nderuar nga kjo mirënjohje nga kolegët tanë austriakë. Kjo vjen në një kohë kritike për rajonin tonë, ku media shpesh pengohet nga ndikimet politike ose të biznesit dhe u mungojnë burimet për të raportuar përtej kufijve të vendit të tyre”, tha drejtoresha e rrjetit të BIRN, Marija Ristiq.
“Çmimi na jep më shumë motivim për të vazhduar me raportimin tonë pakompromis, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ndaj gazetarëve tanë,” shtoi Ristiq.
“Ne gjithashtu jemi mirënjohës për nderin që iu dha themelueses së organizatës tonë, Gordana Igriq, e cila kishte një vizion për një rrjet të lirë rajonal të mediave dhe i hapi rrugën një brezi të ri të gazetarëve dhe redaktorëve që vazhdojnë të mbrojnë vlerat e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, ” ajo tha.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese është themeluar në vitin 2004 si një rrjet i organizatave në të gjithë Ballkanin që promovojnë lirinë e fjalës, të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike.
BIRN ka degët në vendet si Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Rumani dhe Serbi. BIRN ka gazetarë edhe në Bullgari, Kroaci, Republikën çeke, Greqi, Hungari, Moldavi, Mali të Zi, Poloni, Sllovaki dhe Ukrainë.
Çmimi i Lirisë së Shtypit – Një sinjal për Evropën jepet çdo vit nga dega austriake e Reporterëve pa kufi, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse dhe joqeveritare që mbron të drejtën e lirisë së informimit. Mandati i tij është të promovojë gazetari të lirë, të pavarur dhe pluraliste dhe të mbrojë punonjësit e mediave.