Publikimi i raportit "Tjetri që nuk ekziston"

BIRN publikon raportin '"Tjetri" që nuk ekziston'

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë ka publikuar raportin – “Tjetri” që nuk ekziston, në kuadër të projektit “Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë” që financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Ky raport ka gjetur se institucionet e Kosovës vazhdojnë të kenë mangësi në hetim dhe dokumentim të të kaluarës.

Gjatë vitit 2023 dhe muajve të parë të vitit 2024, BIRN analizoi publikimet e institucioneve publike në Kosovë për të kuptuar nëse këto publikime kishin zbatuar parimet e drejtësisë tranzicionale, ishin gjithëpërfshirëse dhe nuk transmetonin narrativë njëetnike.

BIRN ka gjetur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit nuk kanë ndërtuar platforma ku arkivohen rastet dhe ofrohen të dhëna për krimet e luftës. Madje në faqet e këtyre institucioneve nuk gjenden as të dhënat për gjykimet e UNMIK-ut  e EULEX-it, të cilat janë zhvilluar në Kosovë e as të dhëna për gjykimet në Hagë të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Në shumicën e rasteve të analizuara, materialet e publikuara në web-faqe, në platforma të rrjeteve sociale apo gjatë fjalimeve të politikanëve, përmenden vetëm viktima të një etnie. Në këtë frymë, në postimet publike të liderëve politikë mungon përkujtimi për viktimat e etnive të tjera.

Të dhënat e grumbulluara tregojnë se vetëm një numër i vogël i monumenteve siç janë, Memoriali i Bllacës, Memoriali Heroinat dhe Obelisku për të pagjeturit paraqesin viktimat e të gjitha komuniteteve. Monumentet e tjera janë njëetnike dhe paraqesin vetëm viktimat e një etnie.

Hulumtuesit kanë evidentuar raste si ai i fshatit Potërç i Epërm në Pejë, ku më 29.03.1999 u vranë 15 persona. Tre nga të vrarët ishin nga komuniteti ashkali ndërsa të tjerët ishin shqiptarë.

BIRN gjeti se viktimat nga komuniteti ashkali nuk janë varrosur në kompleksin e dëshmorëve por në varrezat e fshatit.

Disa prej rekomandimeve që kanë dalë nga ky raport janë: krijimi i bazës së të dhënave për viktimat e luftës; rishikimi i përmbajtjes online në faqet qeveritare; ndërtimi i standardeve për publikimet e reja.

Po ashtu, rekomandohet që në hapësirat publike të dedikuara për kujtimin e viktimave, të vendosen emrat e të gjitha viktimave.

Një rekomandim tjetër është edhe që të krijohet hapësira të arkivimit online të proceseve gjyqësore dhe të ndiqet standardi nga Dhomat e Specializuara për publikimet gjyqësore.

“Të krijohen transmetime për proceset e krimeve të luftës; të rritet standardi i publicitetit në rastet e krimeve të luftës duke publikuar procesverbalet dhe të dhënat nga proceset e krimeve të luftës; të ndërtohet baza e të dhënave ku do të publikohen të dhënat nga proceset e arkivuara të UNMIK-ut dhe EULEX-it, të cilat duhet të hapen për publikun” – theksohet ndër të tjera te rekomandimet.

Për hartimin e këtij raporti, në 15 institucione janë analizuar 5 mijë e 365 artikuj të publikuar prej të cilave është konstatuar se 320 kanë qenë lajme që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale.

Është bërë monitorim direkt te presidenca, qeveria, agjencitë, komunat, institucionet e pavarura; janë realizuar intervista dhe janë dërguar pyetje; ka pasur vizita në terren dhe është bërë monitorimi i mediave (15 janar 2024, 24 mars 2024).

Autorë të këtij raporti janë Kreshnik Gashi dhe Iliria Kajdomqaj ndërsa hulumtues janë Behar Mustafa, Mediana Halili, Valon Fana dhe Shkodrane Dakaj.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni KËTU.

Raportin e plotë në gjuhën angleze mund ta lexoni KËTU.

Raportin e plotë në gjuhën serbe mund ta lexoni KËTU.