Batajnice

BIRN prezanton databazën e varreve masive nga luftërat jugosllave

“Bitter Land” është databazë interaktive e varreve masive, e cila synon të tregojë shkallën e mizorive, spastrimin etnik dhe operacionet për të mbuluar krimet e luftës gjatë konflikteve të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, më 3 qershor prezantoi databazën e parë gjithëpërfshirëse, interaktive të varreve masive nga luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi, duke ofruar një pasqyrë të paprecedent të operacioneve më të mëdha për të mbuluar krimet e luftës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Databaza “Bitter Land” ofron informacione në tri gjuhë (anglisht, gjuhën boshnjake/kroate/serbe dhe në shqip) për vendndodhjen e varreve masive nga luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, përfshirë numrin e viktimave të identifikuar pas zhvarrosjeve, raportet e arkivave dhe imazhe , plus detaje të çështjeve gjyqësore të lidhura me to, dëshmitë e dëshmitarëve dhe burime të tjera.

Kjo databazë po prezantohet para vendimit përfundimtar më 8 qershor në gjyqin e ish-liderit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili akuzohet si përgjegjës i për disa prej krimeve që çuan në gërmimin e varreve masive gjatë konfliktit në Bosnjë.

Qëllimi i BIRN është të prezantojë të dhëna faktuale në mënyrë që të ndihmojë në kundërshtimin e mohimit të vazhdueshëm selektiv të krimeve dhe revizionizmit historik në lidhje me luftërat e viteve 1990.

“Një nga fokuset kryesore ishte krijimi i një burimi informacionesh të bazuar në të dhëna si dhe të dhëna të bazuara në fakte mbi një nga mbulimet më të mëdha sistematike të krimeve të luftës në historinë e fundit”, tha Nejra Mulaomerovic, e cila e krijoi projektin me drejtoreshën rajonale të BIRN, Marija Ristic.

“Databaza gjithashtu përfaqëson një përpjekje për të nxitur procesin e memorializimit duke siguruar një numër të konsiderueshëm burimesh dhe duke përdorur teknologji të reja për të kuptuar gjendjen aktuale të këtyre vendeve”, shtoi ajo.

Databaza thekson mungesën e përpjekjeve strategjike të demoralizimit duke ofruar video dhe fotografi të realizuara me dron të gjendjes aktuale të vendeve të varreve masive, dhe në disa raste modele tredimensionale të tyre, shumë prej të cilëve janë lënë pasdore pa u shënuar, pa asnjë tabelë që tregon se ato ishin skena krimesh lufte.

Databaza është krijuar për t’u përdorur nga gazetarët, studiuesit, studentët, organizatat e shoqërisë civile dhe, më e rëndësishmja, për familjet e viktimave të luftës me burime të kufizuara për të hyrë në të dhënat e gjykatës, arkivat dhe informacionet në lidhje me varret klandestine në rajon.

Në fund të vitit 2020 dhe fillim të vitit 2021, BIRN vizitoi dhe dokumentoi më shumë se 60 lokacione varresh masive.

Shumica e vendeve të varreve masive në databazë në fusha të pashënuara, gropa ilegale mbeturinash, pranë rrugësh publike ose në pronën e kompanive private. Në disa raste, vendet ishin fshehur pasi rreth tyre ishin ndërtuar shtëpi të reja.

Hulumtimi fillestar për databazën u bazua në 42 varret masive më të mëdha në ish-Jugosllavi ku u gjetën më shumë se 100 trupa. Në fazën e dytë të hulumtimit, BIRN do të hartëzojë varret që përmbajnë midis 50 dhe 100 trupa, ndërsa faza e tretë do të hartëzojë vendet e mbetura.
Varri masiv më i madh në rajon ishte në Serbi, në një qendër stërvitore policore në lagjen Batajnica të Beogradit, ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, varret më të mëdha u zbuluan rreth qyteteve të Zvornikut, Srebrenicës dhe Prijedorit, ku ishin varrosur trupa civilësh boshnjakë. Një nga varret më të mëdhenj në Kroaci u zbulua pranë fermës Ovcara, afër qytetit të Vukovarit, ku u gjetën 200 trupa.

Më shumë se 130,000 njerëz humbën jetën si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi dhe 40,000 u zhdukën. Deri më tani, mbetjet mortore të rreth 28,000 njerëzve janë gjetur në më shumë se 1,500 varre masive klandestine, ndërsa vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë janë zbuluar rreth 1000 varre.

Si burime për databazën, BIRN përdori raporte mjeko-ligjore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, deklarata dëshmish të gjykatës dhe pamje satelitore arkivë, , si dhe dokumente, dokumente hulumtuese, dëshmi dhe pamje arkivë nga lajme nga burime të ndryshme.

BIRN gjithashtu iu referua të dhënave nga GJPNJ, Instituti i Personave të Zhdukur i Bosnjës dhe Hercegovinës, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe organizata të tjera që ishin të përfshira në procesin e zhvarrosjes dhe identifikimit të viktimave.

Baza e të dhënave ofron një pasqyrë të gjerë të vrasjeve dhe operacioneve për mbulimin e krimeve, shumë prej të cilave mbeten pa u ndëshkuar dhe më shumë se dy dekada më vonë. BalkanInsight