BIRN mban trajnim me mediat lokale në Ferizaj për verifikim të fakteve

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka mbajtur një trajnim me mediat lokale në Komunën e Ferizajt për standardet e verifikimit të fakteve.

Në pjesën e parë të trajnimit është ligjëruar për rëndësinë e fakteve në hulumtim dhe Krypometrin.

Në pjesën e dytë është ligjëruar për etikën në gazetari, raportimin e së vërtetës, privatësinë, të drejtat e autorit dhe mbrojtjen e burimeve.

Kurse në pjesën e tretë pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të marrin njohuri për raportimin duke u bazuar në kallxues apo sinjalizues, mënyrën e vërtetimit të fakteve, raportimin e sigurt në gazetari, hulumtimin bazuar në standardet e IFCN, hulumtimet e thella televizive.

Ligjërues të këtij trajnimi kanë qenë Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Visar Prebreza, redaktor përgjegjës për hulumtimet në BIRN Kosova dhe Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore në BIRN Kosova.

Pjesë e këtij trajnimi kanë qenë gazetarë të mediave lokale, korrespodentë të mediave qendrore në Ferizaj, monitorues.

Pjesëmarrësit e trajnimit të mbajtur sot, më 8 nëntor, janë pajisur me certifikata për njohuritë që kanë fituar nga ligjëratat dhe përvojat e tre ligjëruesve.

Gjatë muajve të ardhshëm trajnime të tilla me media lokale do të mbahen edhe në Prizren, Gjakovë dhe një trajnim i dytë në Ferizaj.

Ky trajnim është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).