BIRN Kosova trajnon gazetarë në fushën e energjisë dhe ambientit

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në bashkëpunim me TV Mreza, të shtunën ka mbajtur një trajnim për gazetarë vendorë, për raportimin mbi efiçiencën e energjisë dhe çështjet e mjedisit në Kosovë.

Ky trajnim është përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ligjërues në këtë trajnim ishin Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova; Visar Prebreza, Redaktor Menaxhues në BIRN Kosova si dhe Petar Vidov, gazetar në mediumin kroat ‘Faktograf’.

Të pranishëm në trajnim ishin gjithsej 18 gazetarë vendorë, ku kishte edhe nga mediumet e komuniteteve pakicë në Kosovë si Kossev, Kent FM, RTV Kim, RTV Puls, Medija Centar, Radio Gorazdevac, Insajderi, Indeksonline si dhe nga organizta Green Energy Kosova.

Jeta Xharra në këtë trajnim ka folur për udhëtimin e organizatës KOSID (Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvllim të Qëndrueshëm) në adresimin e çështjeve të ngutshme mjedisore, parandalimin e financimit të termocentraleve të qymyrit, veçanërisht të termocentralit ‘Kosova e Re’.

Visar Prebreza ligjëroi për krimet ndaj mjedisit dhe për raportimin mjedisor. Ai foli për hulumtimet e emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, mbi shfrytëzimin e zhavorrit.

Ndërsa gazetari kroat Petar Vidov foli për përvojën e tij në hulumtimin mbi gjendjen e kapjes në sektorin e energjisë në Kroaci.