BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë prezantuar raportin e monitorimit të gjykatave

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova kanë prezantuar raportin e monitorimit të gjykatave.

Labinot Leposhtica, Kordinator i Zyrës Ligjore dhe Monitorimit në BIRN dhe Inernews Kosova tha se raporti është titulluar qëllimisht “Recesioni i Drejtësisë” pasi sipas tij duke i krahasuar rastet e korrupsionit të vitit 2017, 2018 dhe 2019 ka një ngecje brengosëse.

 

Kjo ngecje sipas tij ka ndodhur përkundër që në tri vite rrogat e gjyqtarve e prokurorëve janë rritur ndjeshëm dhe është shtuar numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Leposhtica ka thënë se ka rënie të numrit të aktakuzave të ngritura, ka rënie të numrit të lëndëve të zgjidhura, ka rënje të numrit të lëndëve të pazgjidhura, ka dështim të prodhimit dhe argumentimit të aktakuzave në gjykatë dhe sipas tij vazhdojmë të kemi cilësi të dobët të aktakuzave dhe aktgjykimeve.

“Gjykatat tona e kanë dorën më të butë kur bëhet fjalë për kapitullin e korrupsionit. Korrupsioni dënohet më pak dhe ka më shumë dënime me kusht dhe dënime me gjobë se për vepra tjera nga kapitujt e kodit penal. Raporti evidenton dështim të plotë në rastin e sekuestrimit të pasurisë”, tha Leposhtica.

Leposhtica ka shtuar se gjyqtarët e prokurorët nuk po arrijnë ta përmbushin rolin e vet, ndërsa në raportin e performancës së tyre po rezultojnë më mirë.

“Rënja e numrit të aktakuzave është në stadin 30 për qind, kjo tregon se kemi rënie graduale”, tha ai.

Leposhtica ka treguar shifrat e të gjitha Gjykatave Themelore në Kosovës.

Sipas tij Gjykata Themelore e Prishtinës e ka arritur të zvogëlojë numrin e rasteve të pazgjidhur të korrupsionit nga 183 raste sa kishte në vitin 2017, në vitin 2018 ka arritur në 164 raste dhe në vitin 2019 në 153 raste.

“Kemi zvogëlim ndonëse nuk është ulje e madhe e rasteve të pazgjidhura gjithësesi kemi një lëvizje positive. Nëse i shikojmë numrat e rasteve të zgjidhura, përkundër që e kanë zvogëlu numrin e rasteve të pazgjidhura kjo ka ardh se kanë pas numër më të vogël të rasteve të pranuara”, tha ai.

Në vitin 2017 Gjykata Themelore sipas Leposhticës ka zgjidhur 88 lëndë të rasteve të korrupsionit, në vitin 2018 janë zgjidhur 86 lëndë dhe në vitin 2019 janë zgjidhur 66 lëndë ndërsa kanë pranuar vetëm 55 lëndë.

Sa i përket Gjykatës Themelore në Prizren Leposhtica tha se nga 14 lëndë të korrupsionit në vitin 2017, në vitin 2018 i përgjysmoi me 9 lëndë të korrupsionit ndërsa vitin 2019 kjo Gjykatë e përfundoi me 20 lëndë të mbetura të korrupsionit.

“Kjo shënon rritje 55 për qind krahasuar me 2017”, shtoi Leposhtica.

Gjykata themelore e Pejës sipas tij e ka një lëvizje pozitive sepse ka arritur ta zvogëlojë numrin e lëndëve të vjetra.

“Nga 15 lëndë të vjetra që janë bartur në vitin 2017, në vitin 2018 kjo shifër është ulur në 12 lëndë. Në vitin 2017 janë zgjidhur 37 lëndë, në vitin 2018 janë zgjidhur 17 lëndë dhe në vitin 2019 janë zgjidhur 10 lëndë të korrupsionit ndërsa janë pranu vetëm 9 lëndë”, tha ai.

Në Gjykatën Thmelore e Mitrovicës sipas Leposhticës vërehet një ngritje drastike e lëndëve të korrupsionit nga 27 lëndë sa ishin në vitin 2017, vitin 2020 e ka filluar me 40 raste të korrupsionit.

“Shqetësuese në këtë gjykatë është se kemi 33 për qind të aktgjykimeve të përfunduara që janë aktgjykime refuzuese ku të akuzuarit nuk kanë dhënë përgjegjësi për pretendimet që kanë pasur ndaj tyre prokuroria”, tha ai.

Sipas Leposhticës në Gjykatën e Gjilanit ndonëse është zvogëluar numri i rasteve të korrupsionit gjyqtarët nuk kanë punuar në më shumë lëndë.

“Nga 40 lëndë të korrupsionit që i ka kryer Gjykata Themelore e Gjilanit në vitin 2018 në vitin 2019 i ka kryer vetëm 22 lëndë është përgjysmuar puna e gjyqtarëve në këtë gjykatë”, tha ai.

Edhe Gjykata Themelore e Ferizajit sipas tij e përcjell trendin negativ. Nga 9 lëndë që i kishte në vitin 2017 lëndë që barten në vitin pasues ky numër është rritur në 13 në vitin 2019 sipas Leposhticës.

Gjykata Themelore e Ferizajt në vitin 2017 i kishte përfunduar 27 lëndë, në vitin 2019 ka kryer vetëm 7 lëndë të natyrës së korrupsionit.

Gjykata e Gjakovës sipas Leposhticës ka arritur të zvogëloj numrin e lëndëve që i bartë në vitin pasues por jo pse sipas tij kanë kryer më shumë lëndë por kanë pranuar më pak lëndë.

“Në vitin 2017 i ka kryer 16 lëndë, në vitin 2018 I ka kryer 20 lëndë në vitin 2019 i ka kry vetëm 7 lëndë të korrupsionit”, tha ai.

Leposhtica tha se për krejt këto shifra në vazhdimësi është lojë e ping pongut e fajësisë mes prokurorëve e gjyqtarëve.

“Prokurorët ankohen në cilësi e aktgjykimeve duke thënë se gjyqtarët po kërkojnë standart tjetër të provuarit për rastet e korrupsionit ndërsa gjyqtarët e potencojnë faktin se cilësia e aktakuzave nuk është e mirë dhe rrjedhimisht provat të cilat janë para tyre nuk i bindin për me e shpallë dikënd fajtor”, shtoi ai.

Lepsohtica shtoi se përderisa korrupsioni dënohet vetëm me 20 për qind me aktgjykim dënues që përfundojnë me burgim efektiv, te veprat penale kundër rendit kushtetues kjo përqindje është 50 për qind.

Ndryshe, Leposhtica tregon se akterët e gjyqësorit dhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë nuk kanë dhënë ndonjë koment për raportin që sipas tij nënkupton që janë pajtuar me gjetjet e raportit.

BIRN dhe Inernews Kosova kanë realizuar mbi 12 mijë monitorime që kur ka filluar projekti për monitorim të gjykatave.