Sulmet kibernetike - Foto: REL/Reuters
BIRN goditet nga sulmet kibernetike pas publikimit të hetimit për një mashtrues turk
Faqja e internetit të Balkan Insight e BIRN është goditur nga sulmet e hakerëve për dy ditë pas publikimit të një hetimi se si një biznesmen kishte paguar për të arritur marrjen e nënshtetësisë nderi të Greqisë.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese dhe faqet e internetit të medias së tij partnere greke Solomon u vunë nën sulm nga hakerët që nga mëngjesi i hershëm i së shtunës e tutje në vazhdën e publikimit të një hetimi ndaj një biznesmeni kontrovers turk.
Sulmi filloi të shtunën në mëngjes dhe vazhdoi deri të dielën. Serveri i BIRN-it nuk ishte komprometuar, por në një moment, uebfaqja kryesore e BIRN-it Balkan Insight ishte plotësisht e paarritshme.
“Sulmi filloi të shtunën në orën 7:30 të mëngjesit. Në atë moment filluan alarmet dhe rreth orës tetë kishim filluar të reagonim. Ishte një betejë e ashpër, kurrë nuk kam përjetuar një luftë të tillë,” – tha Vladimir Paunoviq, ekspert i sigurisë IT, kompania e të cilit punon për BIRN.
“Për një moment të shtunën, kishim 35 milionë lidhje të ndryshme IP nga e gjithë bota. Faqja ra nga numri i madh i lidhjeve,” – shpjegoi Paunoviq.
Ekspertët teknikë të BIRN përcaktuan se sulmi kishte për qëllim në mënyrë specifike rrëzimin e faqes në të cilën u publikua hetimi se si një biznesmen turk, i cili ishte dënuar për mashtrim, bleu rrugën e tij për nënshtetësi nderi greke.
Deri në mbrëmjen e së dielës, sulmi ishte larguar. Por faqja e internetit e Solomonit mbeti nën sulm dhe ishte ende jashtë linje të hënën në mëngjes.
Solomon, media e pavarur greke e cila punoi me BIRN për hetimin, fillimisht njoftoi në Twitter të shtunën se po përjetonte vështirësi për shkak të një “sulmi masiv DDoS në faqen e tyre”.
Sulmi i(DDoS) është përpjekje me qëllim të keq për të prishur qarkullimin normal të një serveri, shërbimi ose rrjeti të synuar duke e stërmbushur objektivin ose infrastrukturën përreth tij.
Shpesh përdoret në përpjekjet për të synuar përmbajtje specifike të publikuara në internet dhe për të goditur faqet e internetit që kanë nevojë për kohë për t’u rikuperuar nga sasi të tilla të mëdha shikimesh.
Hetimi që besohet të ketë shkaktuar sulmin ndaj DDoS prek rastin e Yasam Ayavefe, një biznesmeni turk i cili u dënua për mashtrimin e lojtarëve të lojërave online në vendin e tij në vitin 2017 dhe u arrestua në Greqi në vitin 2019, derisa përpiqej të kalonte kufirin në Bullgari me një pasaport greke false. Më pas i ishte dhënë shtetësi nderi greke.
Hetimi i BIRN dhe Solomon “ekzaminoi sesi shtetësia e nderit, një nder shtetëror i rezervuar prej kohësh për ata që kanë promovuar ndjeshëm kulturën greke, u shndërrua në një skemë të artë vize për ata me xhepa të thellë”, tha Solomon në një postim në Twitter të hënën/BalkanInsight