BIRN fillon javën e Energjisë së Gjelbër me dokumentarin “Helm n’uje, helm n’ajr”

BIRN, të hënën ka filluar javën e Energjisë së Gjelbër me dokumentarin “Helm n’ujë, helm n’ajr”, që është produksion i konzorciumit ‘Ikonë Studio dhe Pixels Production’, brenda projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”, projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga BIRN Kosova, Bankwatch, ERA Group dhe TV Mreza.

Ky dokumentar shpërfaq disa nga problemet kryesore mjedisore në Kosovë, për të cilat synohet të ngritët vetëdija e popullatës karshi këtyre problemeve.

“Ditët e Energjisë së Gjelbër” është një seri aktivitetesh që BIRN Kosova me partnerët e tij organizojnë për herë të dytë në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.

Ky dokumentar është ngjarja e parë e kësaj kampanje dhe po organizohet në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Europe House brenda “Green Future Campaign”.

Zëvendësshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë AnnaCarin Platon tha se BE mbështet shumë projekte të Kosovës që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.

Sipas Platon, BIRN në këtë projekt ka marrë një detyrë shumë të rëndësishme për të transmetuar problemet mjedisore te qytetarët.

“Kosova është njëra ndër vendet më të ndotura në Evropë dhe të gjithë e dimë se Kosovë përballet me një numër sfidash në lidhje me mjedisin, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, keqmenaxhimi i mbeturinave, janë vetëm disa prej problemeve të mjedisit. Ju keni marrë një angazhim shumë të rëndësishëm dhe ne si BE jemi shumë të interesuar që të shohim se ku i shihni ju sfidat kryesore, si e shihni mundësinë më të mirë për të transmetuar këtë mesazh”, tha Platon në fjalën e saj.

Gjithashtu ajo tha se dokumentari “Hejm n’ujë, Helm n’ajr” ka një mesazh gjithëpërfshirës që do të arrijë te audienca e gjerë dhe është pjesë e fushatës që do të zhvillohet në vazhdimësi.

Valon Bajgora nga koncorsiumi ‘Ikonë Studio dhe Pixels Production’ ka shpjeguar rrugën deri te finalizimi i dokumentarit.

“E falënderoj BIRN-in për mundësinë që ka dhënë për përgatitjen e dokumentarit e sidomos për punën e hulumtuesve, për informatat e po ashtu edhe për feedback në secilin hap gjatë realizimit të dokumentarit. Shpresoj që ky dokumentar të nxisë diskutime e të ngritë vetëdijesimin e shoqërisë sonë ku mendojmë të rrisim edhe fëmijët tanë”, u shpreh Bajgora.

E ftuar për të folur në këtë ngjarje ishte edhe Flutura Zymi që është drejtoreshë ekzekutive te “Qytetaret Aktiv”, e cila sqaroi rrugën që kanë ndjekur në kundërshtimin e tyre për projektin “Parku i Aventurave”, që po synohet të ndërtohet në Parkun e Gërmisë.

Gjykata Supreme ka vendosur që të lë në fuqi vendimin për pezullimin e projektit të “Parkut të Aventurave” në Gërmi, deri në vendimin përfundimtar për rastin.

Në vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e organizatave joqeveritare Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS dhe organizatës ‘Qytetarët Aktivë’, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës, për realizimin e ‘Parkut të Aventurave’ në Gërmi, deri në vendosjen meritore të çështjes.

Sipas njoftimit të kësaj qendre, Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat instancave më të ulëta kanë vepruar drejtë kur kanë vendosur që të aprovojnë kërkesën e tyre dhe të Qytetarëve Aktivë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të organit administrativ deri në vendosjen përfundimtare të rastit.

Gjykata Supreme lë në fuqi vendimin për pezullim të projektit ‘Parku i Aventurave’ në Gërmi

Mustafa Skenderi, nga TV Mrezha tha se duhet të vazhdohet të komunikohet me institucionet në lidhje me problemet. Skenderi po ashtu kërkoi që mediat të raportojnë në çdo gjuhë për problemet mjedisore.

“Në këtë projekt neve na është dhënë mundësia që problemet mjedisore t’i zhvendosim në nivel lokal. Sa i përket dokumentarit mund të them është bërë një punë shumë e mirë që storja përmban shumë fakte e të dhëna e po ashtu mendime të ekspertëve”, tha Skenderi.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.