Shëtitja e Hashim Thaçit pa maskë dorëzohet ankesa në inspektoriat

Në mbledhjen e datës 13 korrik 2020, Qeveria e Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19, mori vendim me anë të të cilit i obligoi të gjithë banorët e Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Ndonëse qytetarëve vazhdimisht po u kërkohet vetëdijesim përballë këtij virusi, ka qenë vetë kreu i shtetit Hashim Thaçi, ai i cili në disa raste jo vetëm që nuk e ka respektuar vendimin e Qeverisë por në një farë forme ka promovuar mos respektimin e masave për mbrojtje nga virusi COVID-19.

Sipas rekomandimeve nga institucionet shëndetësore, të moshuarit janë ndër më të rrezikuarit nga virusi COVID-19, por përkundër kësaj Presidenti Hashim Thaçi është parë gjatë datës 26 korrik 2020, nën shoqëri me disa të moshuar, duke pirë çaj në një kafene në Prizren.

Në këto fotografi të postuara në rrjetin social “Facebook”, nga vetë Presidenti, shihet qartë se ai është i vetmi që nuk bartë maskë dhe që është duke mos respektuar vendimin e Qeverisë për bartje të maskës dhe mbajtje të distancës.

Përpos këtij rasti, Presidenti i vendit edhe në një rast tjetër të daljes publike nuk e ka respektuar vendimin e Qeverisë.

Madje vetë Policia e Kosovës gjatë një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shpërndarë disa fotografi nga një organizim përkujtimor, me ç ‘rast shihet se Presidenti Thaçi është i vetmi që nuk ka bartur maskë, duke mos respektuar kështu thirrjen e institucioneve për respektim të masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

Për mos respektimin e vendimeve të Qeverisë janë qytetarët e vendit ata që po gjobiten e po ndiqen penalisht, prandaj duke qenë dëshmitar të këtyre veprimeve, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, përmes një shkrese drejtuar Inspektoratit Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Inspektorateve Komunale të Prizrenit dhe Prishtinës, i ka njoftuar institucionet përgjegjëse për dy rastet e lartcekura, për veprimet të cilat kanë rënë ndesh me vendimin e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.

Udhëheqësi i Sektorit për Inspektime të Sanitare në Prizren, Faredin Ajdini e ka konfirmuar për KALLXO.com se e ka pranuar informacionin nga BIRN dhe se do ta trajtojnë këtë rast.

BIRN përmes kësaj shkrese u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse të thirrura për monitorimin e respektimit të masave të Qeverisë, që të monitorojnë respektimin e këtyre masave duke kërkuar që të veprohet me të gjithë në mënyrë të njëjtë, pa përjashtim, e sidomos me theks të veçantë ndaj personave të cilët bartin në vete edhe peshën e ndikimit në shoqëri, siç është rasti me Presidentin Hashim Thaçi.

Rastet pozitive me COVID-19 janë rritur javëve të fundit në Kosovë me mbi 200 raste pothuaj çdo ditë, ndërsa shtretërit në spitalet e vendit janë duke u zënë me pacientë të infektuar, prandaj konsiderojmë që mos respektimi dhe mos ndëshkimi i personave (kushdo qofshin ata, pa përjashtim), që nuk i respektojnë masat për mbrojtje nga virusi, mund ta dërgojë vendin në kaos të sistemit shëndetësor.

Në Kosovë aktualisht janë mbi 7 mijë persona të prekur me COVID-19.

7652 persona janë pozitiv me coronavirus, 4129 të shëruar dhe 192 të tjerë kanë vdekur, e përkundër këtyre shifrave alarmuese persona publik që bartin funksione të rëndësishme në vend shihen në dalje publike duke promovuar mos respektimin e vendimit të Qeverisë për mbrojtje nga virusi.

BIRN do të vazhdoj t’i informoj institucionet përgjegjëse në çdo rast kur vëren mos respektimin e masave mbrojtëse për të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.