BIRN dhe partnerët i kushtojnë një javë energjisë së gjelbër përmes disa aktiviteteve

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në Kosovë në bashkëpunim me CEE Bankwatch, ERA Group dhe TV Mreza do të organizojnë nga 16 deri më 22 maj “Ditët e energjisë së gjelbër 2022”, një iniciativë që është pjesë e projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Projekti “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës” mbështet pjesëmarrjen proaktive të shoqërisë civile në Kosovë, mediave dhe aktivistëve mjedisorë në reformën e politikave dhe vendimmarrjen në lidhje me energjinë, mjedisin dhe shëndetin publik.

Qëllimi i projektit është të ndihmojë Kosovën për t’i sjellë politikat mjedisore më afër legjislacionit të BE-së dhe për të forcuar dialogun midis organizatave të shoqërisë civile, mediave, aktivistëve dhe sektorit publik.

Ditët e Energjisë së Gjelbër janë një seri aktivitetesh që BIRN Kosova dhe partnerët e tij organizojnë për herë të dytë, në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. Qëllimi i aktivitetit disaditor  është që audiencës së gjerë dhe veçanërisht zyrtarëve të rëndësishëm t’i ofrojë rëndësinë dhe vëmendjen e nevojshme për efiçencën e energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik.

Në vitin 2021, “Ditët e energjisë së gjelbër” ishte një nga aktivitetet më të forta dhe më të rëndësishme të projektit. Në një hark kohor prej 10 ditësh, BIRN Kosova dhe partnerët e tij organizuan një konferencë lokale, një konferencë rajonale dhe një konferencë të nivelit të lartë ndërkombëtar mbi tema të ndryshme të rëndësishme që kanë të bëjnë me efikasitetin energjetik të Kosovës dhe të ardhmen e energjisë së gjelbër. Gjithashtu ishin organizuar dy takime dialogu me të rinj nga Peja dhe Gjakova dhe një turne me biçikleta në Pejë si aktivitet vetëdijesimi për ajrin e pastër dhe mirëmbajtjen e shtigjeve të çiklizmit.

Këtë vit, në “Ditët e energjisë së gjelbër” do të organizohen aktivitete të shumta që do të kontribuojnë në praktika më të mira të energjisë së gjelbër në Kosovë.

Më 16 maj, në “Ditët e energjisë së gjelbër 2021” do të publikohet dokumentari “Helm n’ajër, helm n’ujë” që synon të shohë në pah rëndësinë dhe të vërtetën që është e nevojshme për efiçiencën e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe publikut. Shfaqja e dokumentarit do të bëhet më 16 maj 2022, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, duke nisur në 16:30.

Më 17 maj dhe 20 maj, partnerët e projektit do të organizojnë dy takime dialoguese me të rinjtë nga komuna e Pejës dhe Gjakovës. Qëllimi i takimeve dialoguese do të jetë promovimi i praktikave më të mira në efiçencën e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Me 18 maj, BIRN Kosova do të publikojë analizë mbi ambientin në Kosovë por gjithashtu do të publikohen edhe artikuj tjerë si dhe debate televizive gjatë ditëve të energjisë së gjelbër si dhe video të shkurtra informuese.

Më 19 maj, BIRN do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë të diskutimit brenda “Ditët e energjisë së gjelbër 2022”.

Në këtë konferencë, BIRN Kosova do të lansojë një letër pozicioni të titulluar “Plani Kombëtar i Kosovës për Energjinë dhe Klimën (PKEK)”. Kjo letër pozicioni kalon nëpër pesë shtyllat kryesore të Politikës së Energjisë së Bashkimit Evropian. Këto shtylla përfshijnë sigurinë dhe besimin në energji, tregun plotësisht të integruar të energjisë, efiçiencën e energjisë, dekarbonizimin e ekonomisë, dhe inovacionin. Në përputhje me këto shtylla, dokumenti i pozicionit përfshin sfidat dhe nevojat e Kosovës për të adresuar këto sfera për një rrugë më të sigurt drejt arritjes së dekarbonizimit deri në vitin 2050. Letra e pozicionit gjithashtu ofron edhe rekomandime për Qeverinë e Kosovës drejt arritjes së objektivave të dekarbonizimit të ekonomisë deri në vitin 2050 sipas planeve kombëtare.

Në fund, më 22 maj, partnerët e projektit do të organizojnë një aktivitet për mobilizimin e të rinjve me mbjelljen e fidanëve në hapësira urbane të dëmtuara dhe pa gjelbrim në Pejë.

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.