BIRN dhe Internews Kosova publikojnë raportin: Imuniteti i Korrupsionit

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova sot publikojnë raportin e 16-të të monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Raporti titullohet “Imuniteti i Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Pos tjerash ky raport trajton numrin e madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu raporti shpërfaq se në aktgjykimet e gjykatave për rastet e korrupsionit nuk kemi arsyetim të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit janë: Ministrja e Drejtësisë – Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit – Besim Kelmendi, Kryesuesi i KGJK-së – Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës Supreme – Enver Peci.

Konferenca e publikimit të raportit vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë nga Organizatat BIRN dhe Internews Kosova do të mbahet sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë duke filluar nga ora 13:00.