Foto: BIRN Kosova

BIRN dhe D+ publikojnë raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), në bashkëpunim me Democracy Plus (D +), të përkrahur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2019.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe, Jacob Werbrer, tha se ekonomia joformale në Kosovë është në nivel të lartë.

“Nga raportet vendore dhe ndërkombëtare del se ekonomia joformale në Kosovë është e lartë. Kjo duhet të trajtohet me prioritet nga Administrata Tatimore e Kosovës”, tha Werbrer.

Ai shtoi se Ambasada britanike do të jetë partner afatgjatë i ATK-së për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe luftimit të ekonomisë joformale.

Gjetjet e raportit të monitorimit i shpalosi Visar Rushiti nga Democracy Plus.

Fillimisht Rushiti deklaroi se shumica e rekomandimeve të raportit të kaluar janë zbatuar nga ATK-ja.

Ai njoftoi se gjatë këtij viti shkresat e dërguara nga BIRN për përfshirjen e zyrtarëve të ATK-së në politikë kanë rezultuar me dorëheqjen e 32 zyrtarëve të ATK-së, qoftë nga politika apo nga ATK-ja.

“BIRN ka dërgu shkresa dhe ka njoftu drejtorin e përgjithshëm se janë një numër i zyrtarëve që punojnë në kuadër të ATK-së, bien në konflikt sa i përket angazhimit politik dhe punës në ATK, dhe kur drejtori ka marrë shkresë ka kërkuar nga të gjithë që të vendosin në mes punës në ATK dhe angazhimit politik. Si rezultat i saj kemi 32 dorëheqje në ATK”, tha Rushiti.

Visar Rushiti shpalosi edhe të dhënat e konstatuara pas bisedave me kontabilistë në Kosovë.

“Gjatë këtij viti kemi zhvilluar 13 intervista me kontabilistë. Në pesë prej tyre është vërejtur një hezitim i denoncimit të parregullsive nga kontabilistët për shkak se mund të dihet se kush e ka bërë ndaj kujt, pra na kanë thënë se kanë hezitim për të raportuar rastet në ATK”, deklaroi Rushiti.

Ai shtoi se përkundër faktit se me memorandum ishte paraparë monitorimi i seancave disiplinore, në ATK nuk janë ftuar asnjëherë për monitorim.

“Gjatë këtij viti janë mbajtur shtatë seanca në komisionin disiplinor dhe nuk jemi ftuar asnjëherë në seancat e komisioneve disiplinore ndonëse parashihet me memorandum të bashkëpunimit të ATK-së, ndërsa kemi marrë pjesë vetëm në një seancë të komisionit të ankesave”, shtoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, gjatë publikimit të këtij raporti, deklaroi se Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar progres në gjenerimin e të hyrave.

“Për 11 muaj kemi realizim të të hyrave mbi 465 milionë euro apo rreth 44 milionë euro me tepër se vitin e kaluar. Po ashtu, e arritur tjetër e madhe është pjesa e uljes së stokut të borxheve, gjatë 19 viteve në ATK kemi pasur një trend rritës të stokut të borxheve. Këtë vit e për herë të parë kemi ndalur rritjen e stokut, dhe kemi filluar me trend rënës”, ka shtuar ai.

Murtezaj tha se janë duke përgatitur një plan për përmirësimin e imazhit të ATK-së.

“Këto ditë jemi në punë e sipër të përgatitjes së një plani për rritjen e integritetit të ATK-së. Ky plan po bëhet në bashkëpunim me organizatat jashtë ATK-së dhe me institucionet relevante, i cili do të përmirësojë imazhin tonë”, shtoi Murtezaj.

Ndërsa Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje tha se një nga problemet kryesore në ATK është tatimi në të ardhura personale.

“Tek ne të hyrat tatimore fokusohen aty ku mundet me u qitë rampa, pra në doganë dhe në paga, se ndalen në burim ndërsa tek të hyrat tjera neglizhohet në tërësi nga ATK-ja. Të hyrat nga qiraja, fitimi kapital pasi sa e sa njeri realizon fitim kapital edhe nuk paguan kurrgjë. Kjo rrjedh si pasojë e mosinformimit të mjaftueshëm, dhe krijimit të barrierave, pasi lihet si një opsion personit nëse do të bëjë në fund të vitit, ndërsa në çdo vend të botës njerëzit që kanë realizuar të hyra janë të obliguar t’i deklarojnë në fund të vitit dhe se a i kanë mbetur borxh shtetit tatim”, tha Murati.

Ndërsa në fund të prezantimit të raportit mbi ATK-në, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tha se si rezultat i këtij projekti, pas raportimeve në KALLXO.com, është rritur perceptimi qytetar mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

“Inspektimi i bizneseve që kanë lidhje me politikën, me të kaluarën, ka ndikuar shumë që njerëzit të ndryshojnë perceptimin për ATK-në. Fakti që janë kontrolluar biznese që për vite të tëra nuk janë kontrolluar, ka ndikuar në rritjen e besimit të publikut”, tha Gashi.

Ai shtoi se gjatë këtij viti në platformën KALLXO.com janë pranuar mbi 100 raportime për biznese të ndryshme, të cilat i shmangin tatimet dhe në bashkëpunim me ATK-në, janë kryer 104 inspektime të cilat janë filmuar dhe transmetuar në KALLXO.com.

Ky është raporti i dytë vjetor për Administratën Tatimore të Kosovës, i cili ka për qëllim rritjen e integritetit të ATK-së, dhe mbikëqyrjen e këtij institucioni nga shoqëria civile.

Raporti i parë për ATK-në ishte publikuar në muajin shkurt të vitit 2019.

Raportin e gjeni në këtë link.