Bill Gates paralajmëron njerëzimin: Pandemia e lisë është ‘sulmi terrorist’ i radhës

Themeluesi miliarder i Microsoft Bill Gates i ka bërë thirrje dje qeverive të japin miliarda dollarë për “kërkime në parandalimin e pandemive të ardhshme dhe të bio-terrorizmit”.

Në një intervistë në Britani me analistët e grupit ‘Policy Exchange’ ai tha se bota duhet të përgatitet për “sulme terrori me virusin e lisë” dhe kërkoi krijimin e “task-forcës së pandemive brenda OBSH me një fond prej 1 miliardë dollarë.”

E përditshmja Daily Mail shkruante se Gates mbajti fjalën e tij në forumin e drejtuar nga ish-ministri britanik i shëndetësisë Jeremy Hunt.

Gates shtoi se diçka e tillë do të sillte “edhe inovacione të tjera si zhdukja e gripit dhe të ftohtit të zakonshëm”.

Gates tha: “Shpresoj që brenda pesë viteve të botoj librin me titull ‘A jemi gati për pandeminë e radhës’, por diçka e tille do të nevojiten miliarda dollarë fonde”.

“Rreth 1 miliardë dollarë në vit nevojiten për task-forcën e pandemisë së OBSH, e cila do të bëjë mbikëqyrjen dhe ato që unë quaj ‘lojërat e mikrobeve’”.

 

Gates sugjeroi se ‘lojrat e mikrobeve’ përfshijnë përgatitje për akte bioterrorizmi siç janë sulmet me virusin e lisë në aeroporte, sipas tij të ngjashme me ‘lojrat e luftës’ biologjike të cilat kryhen për stërvitje nga ushtritë në të gjithë botën.

Ai vazhdoi: “Ju thoni OK, po sikur një bioterrorist të lëshojë virusin e lisë në 10 aeroporte? Si do të përgjigjej bota ndaj kësaj? Sigurisht që ka epidemi që ndodhin natyralisht dhe epidemi të shkaktuara nga bioterrorizmi, që mund të jenë shumë më keq nga ato që kemi parë deri më sot”.

Por me gjithë parashikimet e kobshme të njeriut të katërt më të pasur të botës, në fund ai mori tone optimiste duke thënë se do të ketë inovacione madhore mjekësore nëse lirohen fondet për parandalimin e pandemisë.

Gates, i cili ka themeluar Microsoft bashkë me tashmë të ndjerin Paul Allen në 1975, foli dhe në samitin e klimës COP26 kësaj jave në Glasgoë të Skocisë.

Atje ai tha se bota me shumë gjasa nuk do të arrijë objektivin e uljes së temperaturës me 1.5°C sipas marrëveshjes së klimës së Parisit, por vlerësoi përpjekjet e tranzicionit drejt energjisë së gjelbër./Top Channel