Ilustrim

Biletat e mysafirëve nga Stambolli i kushtuan 2 mijë euro Ministrisë së Punëve të Jashtme

Për ardhjen e dy zyrtarëve nga Stambolli në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme ka paguar bileta të aeroplanit në vlerë 2 mijë euro, kjo pasi biletat e kthimit për këta dy zyrtarë ishin shtyrë dy herë.

Kjo është evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për kontratat e centralizuara për shërbimet e transportit ajror për vitet 2016-2019.

Udhëtimi Stamboll – Prishtinë dhe kthimi për dy zyrtarë që ishin në vizitë në Kosovë, ishte shtyrë dy herë. Shtyrja herën e parë i kishte kushtuar 122 euro dhe herën e dytë 200 euro, gjithsej 322 euro.

Ky udhëtim do t’i kushtonte 1,680 euro Ministrisë së Punëve të Jashtme, por për shkak të shtyrjes i ka kushtuar 2 mijë euro ose 19% më shtrenjtë.

ZKA në raport nuk ka dhënë detaje se kur ka ndodhur kjo vizitë dhe kush ishin vizitorët, mirëpo ky raporti i auditimit e përfshinë periudhën 2016 deri 2019.

Gjatë kësaj periudhe, Kosova kishte Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Isa Mustafa, të cilën Kuvendi e shkarkoi në maj të vitit 2017 dhe pas zgjedhjeve u formua qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në muajin shtator të vitit 2017, e i cili dha dorëheqje në muajin korrik të vitit 2019.

Shërbimet e transportit ajror për herë të parë janë kontraktuar në mënyrë të centralizuar në vitin 2016. Deri në nëntor 2020, për këtë lloj shërbimi janë lidhur dy kontrata kornizë, njëra tanimë e zbatuar ndërsa e dyta ka afat deri në dhjetor të vitit 2021.

Vlera e realizuar e kontratës së parë ishte afër 5,7 milionë euro ndërsa, me kontratën e dytë deri në janar 2020 ishin shpenzuar afër 3,7 milionë euro nga afërsisht 4,7 milionë euro të parapara të shpenzohen. Përgjegjëse për zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit (që kanë rezultuar me lidhjen e këtyre dy kontratave) është Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në këto dy kontrata, janë përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Fillimisht, në kontratën e parë ishin përfshirë kryesisht organizatat buxhetore të nivelit qendror pastaj në kontratën e dytë ishin përfshirë edhe ato të nivelit lokal.

Për të vlerësuar nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat, ZKA ka audituar një numër të konsiderueshëm të këtyre furnizimeve në organizatat buxhetore në vijim: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme – përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci e saj, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës.

Raportin e plotë të ZKA-së mund ta gjeni KËTU.