Prokuroria e Shtetit, Foto: KALLXO.com

Bilanci i operacionit “Brezovica”: Arrestime, konfiskime dhe bllokim të afër 6 milionë eurove

Sot në mëngjes në disa lokacione të vendit Prokuroria e Ferizajt në bashkëpunim me organet e tjera të zbatimit të ligjit, zhvilluan një operacion i cili rezultoi me arrestimin e katër personave, bllokimin e afër 6 milionë eurove dhe konfiskim të një veture, armëve dhe dokumenteve.

Në një konferencë për media të enjten pasdite, Prokuroria e Ferizajt njoftoi për rezultatet e operacionit të koduar “Brezovica”.

Agron Haziri nga Drejtoria e Hetimeve të Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës tha se nga katër personat e arrestuar një është liruar në procedurë të rregullt ndërsa disa të tjerë janë në kërkim nga forcat e rendit.

“Operacioni ka rezultuar me katër persona të arrestuar, një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, tre persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të çështjes dhe pesë persona janë në kërkim policor”, tha ai para gazetarëve.

“Personat që subjekt i këtij hetimi dyshohet se i kanë kryer veprat penale, por kemi edhe persona që janë përfshirë në pengim të provuarit dhe frikësim gjatë procedurës penale”, deklaroi Haziri.

Kapiteni i Policisë së Kosovës tregoi edhe për konfiskimet që ndodhën sot dhe bllokimin e afër 6 milionë eurove.

“Gjatë hetimeve të zhvilluara me inteligjencën financiare në llogaritë bankare të personave të dyshuar kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë e 146 dollar amerikan. Gjatë kontrollit të sotëm janë sekuestruar edhe dëshmi dhe prova materiale, është sekuestruar një veturë BMW X1, armë CZE, armë tjetër Zastava, 163 fishekë, një kuti me armë, një karikator i zbrazët, një shtëpizë kompjuteri, telefon mobil, USB, pesë video-kaseta, uniformë me mbishkrimin Policia e ish-sistemit Jugosllav, një anti-plumb dhe dokumente të ndryshme”, tha ai.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Rasim Maloku, tha se janë në proces të identifikimit të vilave dhe deri në fillim të javës pritet që të bllokohen.

“Jemi në proces të identifikimit të vilave, sepse ne i dimë vilat si objekte fizike por duhet të identifikohen edhe në mënyrë që poseduesit faktik dhe ata juridik, siç është tek ne, tjetërkush e posedon, tjetërkush është me letra”, deklaroi ai.

Maloku foli edhe për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku.

“Sa i përket ish-sekretarit, Arben Çitaku, ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit. Është e vërtetë se ka të bëj me lëshimin e lejeve ujore, pëlqimeve mjedisore dhe disa veprime që tani nuk mund t’i bëjmë publike për shkak të hetimit”, tha ai.

Arrestohet ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku

www.kallxo.com