Bilanc lufte: Shifrat e vdekjeve nga COVID-19 po rriten, për dy javë 110 viktima

Që nga data 20 korrik deri më sot me 2 gusht janë shënuar 110 viktima nga virusi COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, vetëm në 7 ditët e fundit janë shënuar 72 viktima.

Edhe për nga numri i rasteve të reja me COVID-19, situata është shqetësuese.

Që nga 20 korriku deri më 2 gusht janë shënuar 3,064 raste të reja me virusin corona, ndërsa vetëm javën e fundit janë shënuar 1662 raste.

Ndërkohë, kryeministri Hoti pas një takimi që ka pasur dje me ministrin Veliu, drejtorin e Policisë, kryeshefin e AVUK-ut dhe atë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se vendi nuk do të shndërrohet në shtet policor, por duhet respektim të masave.

“Kemi bërë konsultimet e nevojshme për punën e përbashkët në terren të policisë dhe inspektoratit në mbikëqyrje të masave. Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, por jemi të obliguar që të ruajmë jetën e qytetarëve. Prandaj, policia dhe inspektorati do të zbatojnë ligjin ndaj atyre që nuk po i respektojnë masat,” është shprehur tutje Hoti.

Në anën tjetër, Ligji anti COVID-19 është proceduar për votim në Kuvendin e Kosovës me 29 korrik, ndërsa me 28 korrik Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat, ku ka kufizuar lëvizjen e njerëzve në disa komuna e ka ndaluar grumbullimin në sheshe dhe hapësira publike.

Qeveria ashpërson masat ndaj përhapjes së COVID-19