BIK - Foto: REL
BIK: Sulmi në Nicë, akt i neveritshëm dhe terrorist
Bashkësia Islame e Kosovës e dënoi sulmin e së enjtes në Nicë të Francës, duke e cilësuar si “akt të neveritshëm” dhe “terrorist”, që ka për qëllim “frikësimin dhe atakimin e vlerave humane e njerëzore”.
“Bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët e viktimave dhe popullin francez. Marrja e jetës së njeriut si dhe atakimi i objekteve fetare janë veprime që bien ndesh me parimet e feve dhe mësimet e pejgamberëve”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Një shtetas tunizian vrau të enjten tre persona në bazilikën Notre-Dame të Nicës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi incidentin si “sulm terrorist islamist”.
Sulmuesi u qëllua nga policia dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Dy nga viktimat vdiqën brenda kishës: një grua 60-vjeçare, që iu pre koka, dhe një 55-vjeçar, që iu pre fyti.
Një grua tjetër, 44 vjeçe, arriti të ikë në një kafene pranë, pasi u godit disa herë me thikë, por vdiq më vonë.
“Fetë nuk kanë për qëllim përplasjet, dhunën e tmerret, por kanë për qëllim udhëzimin dhe fisnikërimin e popujve dhe shoqërive tona”, tha Bashkësia e Islame e Kosovës.