BIK - Foto: REL

BIK kërkon të ndryshohet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e simboleve fetare në shkolla

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar lidhur me shenjën që tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave në shkollën e mesme teknike në Gjakovë.

BIK ka thënë se e dënon aktin e drejtorisë së shkollës “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, e cila sipas tyre e trajton mbulesën si një veprim ordiner.

“Kryesia e Bashkësia Islame të Kosovës dënon aktin e drejtorisë së shkollës “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, e cila e trajton mbulesën e femrës sipas parimeve islame si një veprim ordiner”, shkruan BIK.

BIK ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të anulojë nenin 3 paragrafin 1 të pikës 1.13 të Udhëzimit Administrativ të MASH-tit, i cili thote që nxënësve u ndalohet bartja e uniformës fetare.

Sipas BIK, kjo konsiderohet si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla.

“Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3  paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, ka kërkuar BIK.

Tutje, BIK ka thënë se një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës duke shtuar se mësimet fetare nuk e dëmtojnë apo rrezikojnë shoqërinë, por e edukojnë.

“Një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës moniste. Mësimet e parimet fetare nuk dëmtojnë e nuk rrezikojnë shoqërinë, përkundrazi edukojnë, mësojnë e fisnikërojnë. Ky është qëllimi i besimit, e në këtë kontekst duhet parë edhe mbulesën e femrës myslimane”, thuhet në reagimin e BIK.

Në hyrje të Shkollës së Mesme të Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë ishin vendosur disa simbole për gjërat e ndaluara.

Në mesin e gjërave të ndaluara ishin arma, pirja e duhanit, produktet kozmetike, si dhe mbulesa (e vajzave myslimane). Kjo e fundit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale.

Pas reagimeve dhe presionit publik, menaxhmenti i shkollës e ka larguar shenjën ku tregohej se ndalohej bartja e shamisë në shkollë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi, ka paralajmëruar sot për KALLXO.com se do të merren masa ndaj drejtoreshës së shkollës “Nexhmedin Nixha”.