“Bijat e dikujt”: Të dhëna të frikshme për mosndëshkimin e pornografisë hakmarrëse në Ballkan

Natasa ishte ende në një lidhje me ish të dashurin e saj kur ai ndau me miqtë videon seksuale që kishte për të në telefonin e tij celular.

Ishte vera e vitit 2020. Vetëm në vjeshtë mësuesja 37-vjeçare, një nënë beqare, zbuloi se videoja ishte parë gjerësisht nga banorët e qytetit të vogël në Serbi ku ajo jetonte.

Natasa (jo emri i saj i vërtetë) tani nuk jeton më atje. E braktisur nga miqtë dhe e refuzuar nga fqinjët, ajo pothuajse humbi vendine  saj të punës dhe në fund iu desh të largohej. Djali i saj ndryshoi shkollë.

Megjithatë, videoja ka të ngjarë të jetë ende e fshehur në qoshet më të errëta të internetit. Dhe ish i dashuri i saj nuk është ndëshkuar kurrë për këtë.

“Dënimi u bazua ekskluzivisht në faktin se unë jam një grua, një nënë beqare dhe një mësuese”, tha ajo. “Gratë qeshën dhe më nënçmuan, ndërsa burrat u kënaqën me videon dhe më dërgonin çdo ditë oferta të turpshme, përmbajtje fyese në rrjetet sociale dhe gjëra të ngjashme. Kam hasur në mirëkuptim dhe mbështetje sporadike, por kjo nuk ndodhte shpesh.”

Natasa kujtoi momentin kur ajo ia paraqiti çështjen e saj tre inspektorëve të zyrës së prokurorit të posaçëm të Serbisë për krim të teknologjisë së lartë:

“Ballë për ballë, njëri nga tre inspektorët më tha: ‘Unë ju njoh juve nëna beqare. Ju doni thjesht të martoheni. Çfarë prisnit nga një burrë më i ri?’”

“Ndjeva akuza dhe ndërhyrje në intimitetin tim që ishin të panevojshme. Ata më thanë se nuk e dinin nëse kjo “do të miratohej”.

Ankesa e Natasas, e shkruar në dorën e saj dhe e depozituar në prill 2021 në zyrën e prokurorit të posaçëm të Serbisë për krim të teknologjisë së lartë, zyrtarisht është ende duke u përpunuar.

Por Natasa ka shumë pak shpresë, nga frika se rasti i saj po bie peng i hendeqeve legjislative, paragjykimeve institucionale dhe fajësimit të viktimave nga shoqëritë konservatore që i kanë lënë gratë në Ballkan mjerisht të pambrojtura nga plaga në rritje e “pornografisë hakmarrëse”.

Ky hetim, duke parë në mënyrë specifike Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, paraqet një tablo të rëndë të inercisë zyrtare, stigmës sociale dhe fajësisë së medias, ku barra i bie viktimës për të ndërtuar një rast dhe mbështetja e vogël që ata gjejnë vjen pothuajse ekskluzivisht nga sektori civil.

“Dhuna kundër grave nuk është përparësi”, tha Vanja Macanovic, një avokate në Qendrën Autonome të Grave në Serbi.

Çfarë është pornografia hakmarrëse?

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e përkufizon “pornografinë hakmarrëse” si: “ndarje e materialeve private, seksuale, qoftë fotografi apo video, të një personi tjetër pa pëlqimin e tyre dhe me qëllim shkaktim të turpit ose shqetësimit. Pamjet ndonjëherë shoqërohen me informacione personale në lidhje me personin, përfshirë emrin e tyre të plotë, adresën dhe link-e me profilet e tyre në rrjetet sociale. Vepra zbatohet si në internet ashtu edhe jashtë tij dhe për imazhet që ndahen në mënyrë elektronike ose në një mënyrë më tradicionale, kështu që përfshin ngarkimin e imazheve në internet, ndarjen e tyre me mesazhe teksti dhe e-mail, ose shfaqjen fizikisht ose në mënyrë elektronike të imazhit të dikujt”.

Për disa, termi “pornografi hakmarrëse” mund të nënkuptojë një akt hakmarrjeje pasi një çift ndahet.  Por jo të gjitha rastet kanë të bëjnë me ish-partnerë dhe motivi nuk është gjithmonë hakmarrje.

“Pornografia hakmarrëse është një sferë e tërë e dhunës me bazë gjinore; ndarja e regjistrimeve të grave dhe vajzave bëhet në një mënyrë shumë të theksuar seksiste”, tha Irena Cvetkovikj nga Koalicioni Margins, një OJQ në Maqedoninë e Veriut që ofron ndihmë ligjore dhe psikologjike për viktimat e pornografisë hakmarrëse.

Pornografia hakmarrëse shpesh shoqërohet me “doxxing”, ose publikimin e informacionit identifikues për një individ në internet, shpesh me qëllim të keq.

“Shpesh, pornografia në grup do të ndiqet nga pamje të vajzave të marra nga rrjetet e tyre sociale, së bashku me detajet se nga cili qytet ose pjesë e qytetit janë këto vajza”, tha studenti serb Andrea, i cili u infiltrua në grupin e Telegramit EX YU Balkanska soba.

“Kishte gjithashtu fotografi të shumta grash anonime të marra nga profilet e tyre në rrjetet sociale. Këto fotografi nuk ishin eksplicite si të tilla, por ngjanin me fotografi të zakonshme që shumë prej nesh zakonisht i postojnë në llogaritë tona në rrjetet sociale. Anëtarët më pas interesohen për këto gra dhe se ku jetojnë ato.

Cvetkovikj tha se hulumtimi dhe publikimi i të dhënave personale në pornografinë hakmarrëse është i dallueshëm në “gravitetin e tij”.

“Kur postime të tilla shoqërohen me “telefononi këtë numër, nëse dëshironi shërbime të caktuara seksuale falas”, çështja ndryshon shumë. Kjo nuk është më thjesht një ndarje informacionesh personale.

Në grupet Telegram, gratë janë “thjesht objekte”

Pornografia hakmarrëse, ose ndarja e fotografive ose videove private, eksplicite seksuale të një personi tjetër pa pëlqimin e tyre, u bë lajm kryesor në Ballkan në fillim të vitit 2021 me zbulimin e të paktën tre grupeve në Telegram, “Javna Soba” (Dhoma publike), “EX YU Balkanska soba” (Dhoma EX YU në Ballkan) dhe “Nislijke” (Gratë e Nishit).

Në atë kohë, dhjetëra mijëra njerëz në këto grupe po shkëmbenin foto dhe video grash dhe vajzash pa pëlqimin e tyre, shpesh të shoqëruara me emra, adresa, numra telefoni celular dhe link-e me profilet e tyre në rrjetet sociale.

“Gratë ishin thjesht objekte, pa pëlqim, mendim apo vullnet. Ato ishin të privuara nga çdo tipar njerëzor”, tha Andrea, një studente 23-vjeçare në Serbi e cila u infiltrua në “EX YU Balkanska soba” me qëllim që ta rrëzonte atë. Ashtu si Natasa, ajo foli me kusht që emri i saj i vërtetë të mos publikohet.

“Qëllimi i grupit ishte të poshtëronte gratë, ose një grua specifike”, tha Andrea për BIRN. “Kënaqësia e atyre që shikonin ishte thjesht dytësore.”

Por fenomeni nuk është diçka e re.

17 vjet më parë që një video e këngëtares kroate Severina Kojic, e njohur në të gjithë Ballkanin thjesht si “Severina”, u postua në internet. Në video ajo shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me partnerin e saj të atëhershëm. Gazetat dhe televizionet publikuan lirshëm pamje të videos. Kjo bëri që gjatë viteve që pasuan në rajon të shfaqeshin “zbulime” nga jeta seksuale e një sërë personazhesh të famshme.

“Ne zbulojmë perversitetet e Dara Bubamara” shkruante titulli i një lajmi në tabloidin serb Kurir në 2016 që përmbante mesazhe private nga një celular i vjedhur që i përkiste këngëtares serbe, emri i vërtetë i të cilës është Radojka Adzic. Video nga telefoni i saj u publikuan gjithashtu në media. Një titull tjetër thoshte “Pornoja ia ngriti çmimin! Dara këndonte për 2,500 euro dhe tani nuk do të mund t’i numëroni dot zerot!”

Në vend që të shiheshin si viktima të pornografisë hakmarrëse, si Kojic ashtu edhe Adzic u portretizuan sikur ishin ekspozuar “qëllimisht për hir të karrierës së tyre”, tha gazetarja Tamara Urosevic, anëtare e grupit Gazetarët Kundër Dhunës.

“Ende po bëhen shaka për gratë që kaluan një ferr të vërtetë për shkak të pornografisë hakmarrëse”, tha sociologia Jana Saric, koordinatore e Qendrës E8 në Serbi, e cila punon për edukimin e të rinjve për dhunën me bazë gjinore.

Vite më vonë, policia serbe premtoi veprim të shpejtë në rastin e grupeve të Telegram-it, duke arrestuar administratorin e “EX YU Balkanska Soba”, një person i identifikuar me inicialet N.S. dhe i cili ka lindur në vitin 1996, dhe një burrë tjetër, M.C., i lindur në 1994. Të dy u arrestuan brenda disa ditëve nën dyshimin se kishin bërë publike përmbajtje pornografike me të mitur. Çështja mbetet në fazën e hetimit paraprak.

Dhe aty përfundoi gjithçka. Megjithatë, shumica e grave të përfshira në grupe nuk ishin të mitura. Dhe rrugët e tyre ligjore ishin të kufizuara.

Aktualisht, në Ballkan nuk ka një ligj specifik për të adresuar pornografinë hakmarrëse; vepra nganjëherë trajtohet nëpërmjet veprave të tjera penale, të tilla si marrja ose publikimi i paautorizuar i fotografive. Por në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë, prokurorët publik nuk merren me raste të tilla, të cilat në vend të kësaj duhet të paraqiten nëpërmjet kallëzimeve private të paraqitura drejtpërdrejt në gjykata. I takon viktimës të vërtetojë se kjo ka ndodhur vërtet.

“Problemi me pornografinë hakmarrëse është se si ta vërtetosh atë”, tha Macanovic.

Viktimat, tha ajo për BIRN, “fillimisht përballen me kërcënimet se ky material do të ndahet. Nëse janë të martuara ose në një lidhje, ato do të ndahen nga burri, i dashur, familjet e tyre… dhe kjo është arsyeja pse gratë qëndrojnë të heshtura dhe fshihen në vend që të mbledhin prova. Ky është problemi më i madh – mbledhja e provave të forta dhe të pranueshme në gjykatë.”

“Pse ta denoncoj?”

Sipas të dhënave që BIRN ishte në gjendje të siguronte, 263 kallëzime për ndarje të paautorizuar të fotografive ose videove u regjistruan në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë midis 2016 dhe 2020. Ato rezultuan në 35 dënime, por është e pamundur të verifikohet se sa prej atyre kanë të bëjnë posaçërisht me pornografinë hakmarrëse.

Në Bosnjë, kodet penale të Republikës Srpska dhe Federatës nuk bëjnë dallim midis regjistrimit të paautorizuar dhe shpërndarjes së paautorizuar të fotografive dhe videove, që në fakt do të thotë se një viktimë mund të paraqesë një kallëzim vetëm nëse një regjistrim është bërë pa pëlqimin e tyre dhe është ndarë si i tillë.

“Nëse një person regjistron veten dhe e dërgon atë video me dëshirë, në kuptimin e ligjit penal ajo nuk ka mbrojtje”, tha Josip Anicic, i cili është marrë me raste të dhunës ndaj grave si prokuror i vendit në qytetin jugperëndimor boshnjak të Siroki Brijegut, pjesë e entitetit të Federatës së vendit. Regjistrimi gjithashtu duhet të jetë bërë “në ambientet” e viktimës.

“Nëse i përmbahemi verbërisht shprehjes ‘në ambientet e saj’, kjo do të thotë që një partner fton një person, viktimën, në banesën e tij dhe mund ta filmojë atë dhe të bëjë çfarë të dojë me atë video, sepse këto nuk janë “ambientet e saj’”, tha Anicic.

Edhe në rast se dikush është filmuar ilegalisht në ambientet e tyre, dhe fotografitë ose videot postohen në internet, të paktën në Federatë, tha Anicic, “i kushtohet pak vëmendje” nëse nuk ka prova që autori i dyshuar u përpoq t’i zhvaste para viktimës.

Prandaj në Bosnjë, midis 2016 dhe 2020, nga 104 persona të hetuar, vetëm 26 u ndoqën penalisht, nga të cilët 18 u dënuan me kusht dhe gjashtë u gjobitën. Ligji parashikon dënime me deri në tre vjet burg, por dënimi maksimal nuk u zbatua në asnjë prej rasteve.

Në Malin e Zi, u paraqitën 28 ​kallëzime për pretendimin e publikimit të paautorizuar të fotografive ose videove të një personi tjetër, 20 prej të cilave u refuzuan. Ashtu si në Bosnjë, kërkohen arsye të tjera për ndjekje penale.

“Më shpesh, kurdo që është e mundur, ne përdorim krimin e përndjekjes sepse kjo vepër penale mund të ndiqet penalisht nga prokurori publik”, tha Maja Raicevic, drejtore ekzekutive e Qendrës për të Drejtat e Grave në Mal të Zi.

Në Serbi, sipas të dhënave të disponueshme për publikun, kur bëhet fjalë për veprën penale të fotografisë së paautorizuar, midis vitit 2016 dhe 2019 u ngritën kallëzime kundër 80 personave, nga të cilët 18 u paditën. Katër u dënuan. Në të njëjtën periudhë, kallëzime u ngritën kundër 51 personave për publikim dhe paraqitje të paautorizuar të fotografive dhe videove të një personi tjetër, nga të cilët 22 u paditën. Përsëri, vetëm katër u dënuan.

Të dhënat e siguruara nga Zyra e Prokurorit të Posaçëm për Krime të Teknologjisë së Lartë gjithashtu tregojnë një rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit në numrin e rasteve të trajtuara nga zyra në lidhje me disa vepra penale që mund të përfshijnë pornografi hakmarrëse – përndjekje; ngacmim seksual; dhe marrje dhe shfaqje të materialit pornografik që përfshin një të mitur.

Rastet në lidhje me këtë të fundit u rritën nga 24 në 40 nga 2019 në 2020. Pati edhe 12 të tjerë vetëm në tre muajt e parë të këtij viti. Numri i rasteve të përndjekjes u rrit gjithashtu nga 43 në 60 midis vitit 2019 dhe 2020, me tashmë 35 raste në tremujorin e parë të vitit 2021.

Por Macanovic tha se viktimat e pornografisë hakmarrëse shpesh hasin pak interes nga institucionet.

“Ne në Serbi kemi një strategji për luftën kundër krimit të teknologjisë së lartë, e cila i referohet përvetësimit të kryer nga komunikimi elektronik, por këto raste kanë të bëjnë vetëm me sektorin financiar dhe abuzimin online të fëmijëve. Në këtë strategji nuk përmenden gratë – dhuna ndaj grave nuk njihet”, tha Macanovic për BIRN.

“Vetëm kur doli në dritë çështja me grupet e Telegram-it, erdhi direktiva për t’i dhënë përparësi këtyre rasteve. Por dhuna kundër grave nuk është prioritet.”

Zyra e Prokurorit të Posaçëm për Krimin e Teknologjisë së Lartë e kundërshtoi pretendimin e Macanovic si “të pabazuar” dhe “të pasaktë”.

Zyra i tha BIRN se midis fillimit të vitit 2016 dhe fundit të vitit 2020, më shumë se 200 çështje ishin ngritur kundër të dyshuarve të identifikuar për ndjekje, ngacmim seksual dhe publikim të paautorizuar ose paraqitje të fotografive dhe videove të një personi tjetër, “në të cilat, në shumicën e rasteve, palët e dëmtuara ishin gratë”.

“Në një numër të madh rastesh, për shkak të informacionit ose njohurive të tyre të pamjaftueshme ose refuzimit për të marrë ndihmë juridike profesionale, qytetarët paraqesin kallëzime penale për vepra penale për të cilat ndjekja penale ndërmerret në bazë të një padie private të ngritur në një gjykatë aktuale ose lokale dhe në të cilin nuk ka bazë ligjore për veprime nga ana e prokurorisë, siç është rasti me veprën penale sipas nenit 145 (publikimi ose paraqitja e paautorizuar e fotografive dhe videove të një personi tjetër), përveç nëse është kryer nga një zyrtar gjatë kryerjes së shërbimit të tij/saj”.

Ajo theksoi se komunikimi midis zyrës së prokurorit dhe personit që bën një kallëzim ose një pale të dëmtuar parashikohet vetëm “në raste të veçanta”.

“Zyra e Prokurorit Publik nuk është një përfaqësues ligjor ose këshilltar i kërkuesit ose palës së dëmtuar, por një organ i pavarur shtetëror që merret me ndjekjen e autorëve të veprave penale”, tha zyra për BIRN. “Në rastet kur nevojitet mbështetje psikologjike për viktimat e veprave penale, ka Shërbime Informative dhe Mbështetëse për palët e dëmtuara dhe dëshmitarë në prokuroritë publike, të cilëve këta persona mund t’u drejtohen.”

Megjithatë, shumë ekspertë pohojnë se mungesa e një përgjigjeje adekuate nga institucionet shtetërore i dekurajon gratë të kërkojnë drejtësi.

“Nëse ato kanë dëgjuar nga miq që kanë raportuar pornografi hakmarrëse se nuk është bërë asgjë, se policia nuk ka reaguar, atëherë gratë pyesin veten “Atëherë përse unë ta raportoj?”, tha Bojana Kostiç, një avokate dhe eksperte për aspektet gjinore të sigurisë digjitale.

Mbledhja e provave është shumë e rëndësishme

Mbledhja e provave është shpesh sfida më e madhe kur individë ose OJQ përpiqen të ngrenë padi private në lidhje me marrjen dhe/ose shpërndarjen e paautorizuar të fotografive ose videove me përmbajtje eksplicite.

“Gratë duhet të bëjnë fotografi të gjithçkaje që ndodh, kur ndodh, sepse ajo zhduket”, tha Vanja Macanovic, një avokate në Qendrën Autonome të Grave në Serbi.

“Mbledhja e provave është shumë e rëndësishme. Nëse hasni në foto ose video tuajat në një faqe interneti, nuk mjafton vetëm të dërgoni vetëm fotografi të shkrepura të ekranit. Një kallëzim mund të bëhet kundër personave të paidentifikuar, por nuk është e mjaftueshme. Ju do të duhet të kujtoni se kur është bërë videoja në fjalë, ku është bërë, kush ishte i pranishëm atje, pse dyshoni për atë person dhe, nëse është postuar një link i caktuar, atëherë duhet të shikoni se çfarë fshihet pas tij. Një person që punon IT mund të zbulojë nga është postuar materiali. Do të duhet të gjeni adresën IP. Por tani ka kaq shumë mënyra për ta fshehur këtë të fundit, saqë një person që dëshiron të raportojë një krim të tillë duhet të ketë aftësi të konsiderueshme në fushën e IT-së.”

Ndjenja turpi dhe poshtërimi

Ata që punojnë me viktimat e pornografisë hakmarrëse thonë se ndikimi psikologjik mund të jetë shkatërrues.

“Në praktikë, tërësia e besimeve që kemi për veten rrëzohet”, tha Jovana Gajovic, psikologe dhe psikoterapiste në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë.

“Ne duhet ta rindërtojmë besimin nga fillimi, që është një proces mjaft i vështirë dhe i mundimshëm.”

Raicevic, në Mal të Zi, tha se pasojat “mund të jenë më serioze sesa ato të dhunës fizike”.

“Në pornografinë hakmarrëse, kemi një vazhdimësi që kushtëzohet nga fakti se videot kërcënojnë përgjithmonë viktimat, se ato do të rrezikojnë reputacionin, integritetin e tyre, se do të kenë efekt në marrëdhëniet e tyre të ardhshme në punë, me partnerin, familjen”, tha ajo.

Ndjenjat e fajit dhe izolimit janë të zakonshme, tha Irena Cvetkovikj, drejtore ekzekutive e Margins Coalition në Maqedoninë e Veriut, e cila punon për të promovuar të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, përfshirë gratë.

“Shumica e grave ndanë me ne se ndjenin faj për atë që kishte ndodhur”, tha ajo për BIRN.

“Edhe më problematik ishte fakti se shumë prej tyre u përballën me divorc kur kjo ndodhi. Shumë gra u desh të ndërprisnin kontaktet dhe ndërveprimet e tyre shoqërore për një kohë të gjatë, disa humbën punën, dhe shumë u mbyllën në shtëpitë e tyre dhe nuk dolën jashtë për një vit, as për bukë, qumësht dhe cigare, për shkak të ndjenjës së turpit dhe poshtërimit. Viktimizimi dytësor po kryhet nga institucionet, por edhe nga vetë shoqëria.”

Por përtej hendeqeve ligjore që duhen mbyllur, organizatat e shoqërisë civile që merren me viktimat thonë se paragjykimet janë endemike në institucionet publike në Ballkan.

“Në të kaluarën na është dashur shumë kohë për t’i shpjeguar policisë dhe prokurorisë sonë se pornografia hakmarrëse është një problem serioz dhe se ajo i vë gratë në një situatë shumë të vështirë, se ato shpesh janë jashtëzakonisht të traumatizuara nga ajo që u ndodh atyre edhe pse ato nuk kanë përjetuar dhunë fizike”, tha Raicevic.

“Në fillim, kishte paragjykime serioze. Një herë, për shembull, një grua bëri një kallëzim në polici dhe ata e pyetën; ‘Pse e bëre atë fotografi?’ dhe ‘Pse e lejove të të filmonte ashtu?’ Në raste të tilla, policia nuk ndërmerr asnjë veprim për shkak të këtyre paragjykimeve që i bëjnë ata të besojnë se është përgjegjësi e vetë viktimës të merret me këtë çështje.”

Këshilli Gjyqësor i Malit të Zi, i cili është përgjegjës për zhvillimin profesional të zyrtarëve të prokurorisë dhe gjykatave, i tha BIRN se nuk është ofruar asnjë trajnim që do të trajtonte specifikat e pornografisë hakmarrëse, por se ai do të propozonte një trajnim të tillë për gjyqtarët vitin e ardhshëm. Po kështu, nuk ka pasur një trajnim të tillë në sistemin gjyqësor boshnjak.

Në Serbi, një trajnim i tillë ekziston, por ekspertët vënë në dyshim efikasitetin. Zyrtarët publikë janë një pasqyrim i një shoqërie në përgjithësi, tha Kosana Beker, një avokate në shoqatën FemPlatz në Serbi.

“Nëse pornografia hakmarrëse nuk është në krye të rendit të ditës dhe nuk njihet sa duhet në shoqëri, atëherë nuk është realiste të pritet që punonjësit në institucione të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve, që ata të studiojnë vetë ose të përdorin nismën e tyre”, tha Beker.

Një përgjigje do të ishte ndryshimi i ligjit, duke penalizuar në mënyrë eksplicite “pornografinë hakmarrëse” siç e kanë bërë tashmë një numër shtetesh, përfshirë Kanadanë, Maltën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë.

“Institucionet nuk reagojnë kur nuk e pranojnë që ka ndodhur një krim që mund të përshtatet në kuadrin tonë ligjor ekzistues”, tha Raicevic.

Sanja Pavlovic nga Qendra Autonome e Grave në Serbi tha se institucionet serbe tradicionalisht ishin të ngadaltë në përshtatje.

“Një pjesë e institucioneve, në lidhje me tema të caktuara, janë ende në Mesjetë, sidomos kur bëhet fjalë për dhunën seksuale”, tha Pavlovic për BIRN. “Institucionet duhet të ecin me kohën, me teknologjinë.”

Kroacia është përpara të tjerëve në këtë aspekt.

Një muaj pasi doli lajmi për grupet në Telegram, një shoqatë e quajtur B.a.B.e. mblodhi ekspertë në fushat e ligjit, psikologjisë, sociologjisë, teknologjive të informacionit dhe komunikimit si dhe përfaqësues të qeverisë kroate, organeve shtetërore, gjyqësorit, policisë dhe shoqërisë civile për të përcaktuar një kurs të përbashkët veprimi për të trajtuar pornografinë hakmarrëse.

Takimi solli një propozim për të ndryshuar Kodin Penal për të përfshirë veprën penale të “pornografisë pa pëlqim”, duke futur një dënim të mundshëm me nga një deri në tre vjet burg për këdo që dënohet për marrjen dhe publikimin e fotografive seksuale ose regjistrimin me video të një personi pa pëlqimin e tij.

Parlamenti pritet të miratojë ndryshimet në Kodin Penal pas pushimeve të tij verore.

“Është e nevojshme të ndryshohet kuadri ligjor në mënyrë që të mos ketë dilema se çfarë është në të vërtetë pornografia hakmarrëse”, tha Raicevic në Mal të Zi.

Macanovic u pajtua: “Kur flasin me profesionistë, ata thonë “Por ai ekziston si krim i publikimit të paautorizuar të materialeve të caktuara”. Por çështja nuk është nëse ai thjesht ekziston, por nëse ndiqet penalisht nga ligji dhe nëse mund të përmirësohet, sepse duhet të përmirësohet dhe harmonizohet me botën në të cilën jetojmë sot dhe me atë që po na ndodh.”

Një pamje “e tmerrshme” nga brenda

“Andrea”, një studente nga Serbia, u infiltrua në grupin e Telegram “EX YU Balkanska soba” në fillim të vitit 2021. Ajo tregoi për BIRN – me kusht që emri i saj i vërtetë të mos publikohej – për frikën dhe paranojën që e kaploi.

“U ndjeva e tmerruar dhe, mbi të gjitha, paranojake. Mendova se si fotografitë e mia ndoshta po shfaqeshin në biseda sekrete pa pëlqimin tim, ku një turmë burrash të panjohur që s’do të doja as t’i përshëndesja, po shkruanin gjëra të neveritshme për mua, për trupin tim…”

“Si gra, ne jemi gjithmonë të vetëdijshme se ka pak vende në të cilat jemi të sigurta dhe kjo ishte një provë e qartë se një vend i tillë ndoshta nuk ekziston askund. Ne mund të jemi të sigurta vetëm nëse nuk jemi në rrjetet sociale, nuk dalim nga shtëpia, nuk kemi partnerë dhe nuk kemi bërë kurrë ndonjë ‘selfie” në jetën tonë.”

“Dhe ndoshta edhe atëherë nuk jemi të sigurta, sepse nuk e dimë kurrë se kush mund të na bëjë fshehurazi fotografi. U tmerrova gjithashtu në grup nga mendimi se kishte një mori grash që jetonin në mënyrë paqësore dhe krejtësisht të pavetëdijshme për atë që një grup burrash po thoshin për to, dhe se dikush pranë tyre kishte ndarë fotografi dhe video që duhet t’i shikonte vetëm një person i besuar ose që një person i besuar i kishte filmuar.”

“E vetmja shenjë se diçka e çuditshme po ndodh është ardhja e papritur e një morie kërkesash miqësie në Facebook ose në Instagram.”

“Viktima është gjithmonë fajtore”

Deri atëherë, viktimat lihen t’i ndërtojnë vetë çështjet e tyre, nëse kanë burimet e duhura.

“Procesi është i gjatë dhe i ndërlikuar, pasi kërkon një padi private që kërkon burime që shumica e viktimave nuk i kanë – ata nuk dinë të shkruajnë një raport vetë, nuk janë të njohur me procedurat e paraqitjes së padisë dhe punësimi i ndihmës juridike ose e një avokati kërkon burime financiare shtesë”, tha Milena Vasic nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut me qendër në Beograd, YUCOM.

Disa u drejtohen organizatave civile, por kapaciteti i tyre për të ndihmuar është gjithashtu i kufizuar.

Në Malin e Zi, Raicevic tha se në vitin 2020 Qendra për të Drejtat e Grave, ku ajo punonte, ofroi ndihmë juridike falas për më shumë gra sesa shteti në tre vjet.

“Nëse ky trend vazhdon, ne do të detyrohemi të kufizojmë sasinë e ndihmës juridike falas… në një moment, në mënyrë që cilësia e shërbimeve që ne ofrojmë të mos bjerë”, tha Raicevic për BIRN.

Valida Hromadzic, një bashkëpunëtore e Qendrës Alternative për Vajzat në Serbi dhe një trajnere dhe studiuese në fushën e sigurisë së grave në internet dhe dhunën me bazë gjinore, tha se shoqëria civile po bënte “punë pioniere”, duke transferuar njohuritë e mësuara nga organizatat evropiane dhe organizata të tjera në arsim në rajon.

“Sepse thelbi nuk është vetëm edukimi i vajzave dhe grave të reja, por edukimi i të gjithë qytetarëve për këtë problem”, tha ajo.

Në fakt, ekspertët thonë se shumica e fajit qëndron në një kulturë dhune që transferon përgjegjësinë nga autori te viktima.

“Ne kemi një moment në të cilin shoqëria më e gjerë nuk thotë ‘Pse po e bën këtë? Mjaft ndave fotografi të njerëzve të tjerë pa pëlqimin e tyre’, por thotë: “Pse i ke bërë këto fotografi?”, sikur viktima është ajo që e ka gjithmonë fajin”, tha Saric nga Qendra E8 në Serbi.

Veprimet e të rinjve në grupet e Telegram-it si “EX YU Balkanska soba” “shpjegohen me shoqërinë mizogjiniste në të cilën jetojmë dhe me faktin se gratë ende perceptohen si objekte, gjë e cila u injektohet djemve që në moshë të re”, tha Pavlovic nga Qendra Autonome e Grave në Serbi.

“Kjo është arsyeja pse adoleshentët … nuk janë të vetëdijshëm se vajza është një person më vete, por e perceptojnë atë si një mall që mund ta shkëmbejnë, dhe në këtë rast, janë fotografitë e saj.”

“Qëndrime të tilla, të cilat i dehumanizojnë vajzat dhe gratë, merren nga djemtë rreth nesh – në arsimin formal, përmes leximit, nga mësuesit që transmetojnë paragjykimet e tyre përmes procesit të edukimit të fëmijëve, përmes kulturës popullore, përmes artit, përmes mediave, në rrjetet sociale, në lojërat elektronike.”

Pavloviç tha se ishte e rëndësishme që djemtë dhe të rinjtë të arsimohen në mënyrë të tillë që t’i rezistojnë presionit të bashkëmoshatarëve për të marrë pjesë në pornografi hakmarrëse. Disa burime të jashtme ofrojnë ëorkshop-e, tha ajo, “por kjo nuk është një zgjidhje sistematike.”

Sipas hulumtimit të kryer nga Qendra Autonome e Grave, pothuajse një në 10 nxënëse të shkollave të mesme në Serbi i ka ndodhur që dikush të publikojë fotot ose videot e tyre personale që ia ka dërguar privatisht një personi tjetër. Në një të katërtën e këtyre rasteve, ai person ishte partneri i tyre aktual ose i mëparshëm.

“Nuk flitet shumë për këtë, edhe pse është jeta e tyre e përditshme dhe diçka që e bëjnë adoleshentët në kohën e tyre private”, tha Pavlovic. “Por nuk ka shumë të rritur, dhe veçanërisht profesionistë, të cilët të flasin me adoleshentët se si ata e kalojnë kohën e lirë dhe çfarë ndodh në internet, çfarë është në rregull të bësh dhe çfarë jo.”

“Por kur dikush vjen dhe i ngre këto tema me ta, ata kanë nevojë t’i diskutojnë këto çështje dhe janë të hapur për të dëgjuar argumente dhe për të mësuar se çfarë është në rregull dhe çfarë nuk është në rregull.”

Saric e Qendrës E8 tha: “Kur parandalimi përmes edukimit nuk ndodh në një fazë të hershme, ne arrijmë në një pikë ku ata nuk marrin parasysh që fotot që ata shohin të publikuara pa pëlqimin e dikujt janë në të vërtetë të një gruaje të vërtetë që do të vuajë pasoja të vërteta, psikologjike, materiale, emocionale.”

“Gjueti shtrigash”

Rreth dy dekada pas lajmeve për atë që i ndodhi këngëtares Severina, toni i raportimit ka ndryshuar pak, pavarësisht nëse viktima e pornografisë hakmarrëse është një personazh i famshëm apo një mësues shkolle.

“Pornografia hakmarrëse më së shpeshti trajtohet në mënyrë tabloide. Asaj i afrohen nga pikëpamja e argëtimit dhe jo nga pikëpamja e dhunës”, tha Pavlovic.

Urosevic, e Gazetarëve Kundër Dhunës, tha se pak gazetarë mendojnë për pasojat, qoftë të pornografisë hakmarrëse, apo të mënyrës se si raportohet.

“Për ne, si në shoqëri ashtu edhe në media, seksi është ende një temë tabu”, tha ajo për BIRN. “Pra, përsëri dhe përsëri ne e bëjmë viktimën të ndihet fajtore për diçka që ajo nuk ishte dakord, për të cilën ajo nuk është fajtore dhe në fund për gjithçka që e pret atë në procesin e rehabilitimit dhe shërimit pasi raste të tilla të bëhen publike.”

“Nëse raportimi është stereotipik, sensacional, duke shkelur të gjitha kodet etike dhe profesionale të gazetarisë, përfshirë fotografi të vendit të krimit ose ato që traumatizojnë më tej viktimat ose zbulojnë identitetet e tyre, ka shumë të ngjarë që gruaja tjetër të mos vendosë të kërkojë ndihmë.”

Dhe kostoja mund të jetë e madhe, tha Cvetkovik nga Coalition Margins.

“Të gjitha këto gra ose vajza vazhdojnë të shkojnë te një psikiatër, marrin mjekime, disa prej tyre luftojnë me buliminë, disa kanë makthe të vazhdueshme”, tha Cvetkovik për disa nga gratë që kishte ndihmuar.

“Mënyra se si reagon shoqëria tani do të prekë gjithashtu të gjitha viktimat e ardhshme. Ajo mund t’i inkurajojë ato të raportojnë pornografi hakmarrëse, të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje dhe t’u japë atyre sigurinë se ka njerëz në shoqëri që janë në anën e tyre, që i kuptojnë ata dhe që do t’u garantojnë atyre mbështetje.”

Natasa gjeti mbështetje dhe mirëkuptim.

“Personi që e përjetoi këtë është i ndjeshëm, jeta e saj po shkatërrohet dhe unë u përballa vetëm me vrazhdësi dhe dënim nga autoritetet në Beograd sepse isha më e madhe se partneri im, sepse jam nënë dhe mësuese”, tha ajo.

Duke e përshkruar sprovën e saj si një “gjueti shtrigash”, Natasa tha se, ndryshe nga kjo “Personi që më filmoi dhe e publikoi videon nuk përjetoi asnjë pasojë nga njerëzit përreth nesh.”

E kërcënuar me pezullim nga shkolla ku punonte, Natasa tha se ajo “luftoi” për punën e saj.

“Unë luftova kundër të gjithë qytetit. Luftova, por edhe u lodha dhe u transferova në Beograd. ”

Ajo tani bën çdo ditë katër orë rrugë. “Nuk mund të jetoj mes njerëzve të këqij dhe me frikën se dikush do të më kërcënojë, do të trokasë në derën time ose do ta vërë fëmijën tim në një situatë të vështirë”, tha ajo.

Por ajo nuk u fsheh.

“Kuptova që askush nuk do të më mbronte, kështu që mblodha veten dhe fola hapur për këtë. Edhe me nxënësit dhe kolegët e mi në shkollën ku punoja. U shpjegova se edhe ata kanë nëna dhe motra dhe se ato gra janë bijat e dikujt.” (reporter.al)