Bienalja "Manifesta" do të mbahet për herë të parë në Prishtinë në vitin 2022

Bienalja Nomadike Evropiane “Manifesta” e cila ka qëllim promovimin e marrëdhënies midis kulturës dhe shoqërisë duke katalizuar ndryshimet pozitive në Evropë do të mbahet në Prishtinë nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022, në Prishtinë.

Drejtoresha e bienales “Manifesta”, Hedwig Fijen ka thënë se ky festival do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal dhe do të hulumtojë se si mund të transformohet kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.

“Vizioni urban tregon mënyrën se si edicioni 14-të i Manifestës 14 do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal, por edhe do të hulumtojë se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet duke rimarrë hapësirën publike nga qytetarët e tij”, ka thënë Fijen në një konferencë për media.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se me organzimin e këtij festivali presin Prishtinën ta vizitojnë shumë vizitorë. Ndërsa për ndërhyrjen më të madhe që duhet të bëhet në kryeqytet gjatë kësaj bienaleje është tek Fabrika e Tullave.

“Tri betejat kryesore na mbeten Pallati i Rinisë që duhet ta mbrojmë nga deformimet, Grandi dhe Stacioni i Autobusëve”, shprehet Ahmeti.

Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani tha se “Manifesta” duhet të shikohet si mundësi që shoqëria të bëhet pjesë integrale e saj.

“Manifestën e shohim jo vetëm si hapësirë të konsumimit artistik shoqëror mirqëpo edhe si mundësi që shoqëria jonë të bëhet pjesë  integrale e këtij laboratori socio-kulturor”, ka thënë ajo.

Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli gjatë kohës sa mbante këtë pozitë kishte thënë për KALLXO.com se në bazë të nënshkrimit të marrëveshjes së protokollit, Komuna e Prishtinës ka paguar dy herë nga 364 mijë euro për Manifestën, në vitin 2019 dhe 2020. Pra, gjithsej 728 mijë euro.

Ndërsa, Ministia e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 700 mijë euro për organizmin e kësaj Bienale. 

Manifesta filloi në fillim të viteve 90-ta si përgjigje ndaj ndryshimeve politike, ekonomike dhe sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave pasues drejt integrimit evropian.

Që nga ajo kohë, Manifesta është zhvilluar në një platformë udhëtimi që përqendrohet në dialogun midis artit dhe shoqërisë në Evropë.

Edicionet e mëparshme janë zhvilluar në Roterdam (1996), Luksemburg (1998), Lubjanë (2000), Frankfurt (2002), San Sebastian (2004), Nikosia (2006 – anuluar), Trentino-Tiroli Jugor (2008), Murcia në dialog me Afrikën veriore (2010), Limburg (2012), Shën Petersburg (2014), Cyrih (2016) dhe Palermo (2018). Edicioni i vitit të kaluar u mbajt  në Marsejë.