Foto: Denis Sllovinjai/KALLXO.com

Bien vlerat e manganit në Badovc, IKShPK: Uji mundet të përdoret për pije

Pas më shumë se një muaji, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se uji i Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit tash e tutje  mundet të përdoret për pije.

Instiuti ka bërë të ditur se rezultatet nga analizat e katër ditëve të fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 08.11.2024-12.11.2024) tregojnë se vlerat e manganit kanë zbritur dhe ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes. 

“Bazuar në këto rezultate, uji mund të përdoret edhe për pije”- njofton IKSHPK-ja. 

Sidoqoftë, IKShPK i ka rekomanduar KRU “Prishtina” që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes. 

Kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur ky ujë nuk është përdorur për pije për shkak të vlerave të manganit.

Edhe në tetor të vitit të kaluar, më 19.10.2023, qytetarët që furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit u alarmuan pas një lajmërimi nga IKShPK që të mos konsumohet ky ujë për shkak se u gjetën vlera të rritura të manganit.

Mirëpo pas një muaji, më 20.11.2023, IKShPK njoftoi se uji i Liqenit të Badovcit mund të përdoret për pije.