Bien nga sistemi web-faqet e komunave të Kosovës (FOTO)

Faqet e internetit të komunave të Kosovës sot në pjesën më të madhe të ditës kanë qenë jofunksionale.

Mosfunksionimi i web-faqeve ua ka pamundësuar qytetarëve dhe të interesuarve të tjerë të marrin informata për komuna të ndryshme.

Lidhur me këtë problem, KALLXO.com ka kontaktuar Yll Vallën, zyrtar për informim në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai ka thënë se problemi me të cilin janë përballur web-faqet e komunave është rezultat i një ‘rifreskimi” të sistemit.
“Kemi pasur problem me të gjithë web- faqet e komunave dhe të Ministrisë për shkak të një ‘Update’ të ri, i cili është bërë në mënyrë automatike dhe ka afektuar në probleme”, tha Yll Valla.
Zyrtari për informim i Ministrisë tha se kanë punuar gjatë gjithë ditës për rregullimin e sistemit së bashku me kompaninë që mirëmban rrjetin.
“Tani funksionimi është në rregull, gjatë gjithë ditës jemi marrë më rregullimin e këtij problemi, edhe me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit por edhe me kompaninë ‘Cactus’, e cila e mirëmban rrjetin” , theksoi ai.

Megjithatë, problemet me qasjen në web-faqen e komunave vazhdojnë edhe në këto momente.

KALLXO.com vëren se web-faqja e Komunës së Rahovecit, e Drenasit, Lipjanit, Gjilanit, etj. nuk janë duke funksionuar në këto momente.

Kallxo.com edhe në vitin 2017 ka raportuar për problemet që kanë web – faqet e komunave.