Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Bie’ tenderi për dron, Ministria kërkon rishikimin e kërkesave

Rreth mesit të muajit që shkoi, përkatësisht më 11 shtator 2021, KALLXO.com raportoi se Ministria e Financave kishte iniciuar procedurën për blerjen e një droni për stafin e departamentit të tatimit në pronë.

Për blerjen e fluturakes, pakon e trajnimit dhe mbështetjes së stafit, kjo ministri ndau 17 mijë euro.

Ministria në njoftim kishte përshkruar shkurtimisht se për çfarë blerje bëhej fjalë.

Furnizim me fluturake (dron) përfshirë tablet, aplikacionin trajnimin dhe mbështetjen e stafit të Departamentit të tatimit në pronë sipas specifikimeve teknike në aneksin 1. të Dosjes së Tenderit”, thuhej në njoftim.

Kjo blerje ishte paraparë të realizohej nëpërmjet procedurës së hapur të prokurimit, me çmimin më të ulët si kriter për dhënie të kontratës.

Mirëpo, ky aktivitet i prokurimit u anulua. Anulimin e këtij aktiviteti kishte kërkuar njësia kërkuese e ministrisë me justifikimin e rishikimit të përshkrimit për plotësimin e  nevojave.

“Anulimi i këtij aktiviteti bëhet me kërkesë të Njësisë kërkuese në mënyrë që të rishikohen përshkrimet (e furnizimeve dhe shërbimeve) si dhe aspektet e tjera në mënyrë që të përmbushen kërkesat e Nenit1.LPP që ka të bëjë me Qëllimin e Aktivitetit të Prokurimit”, njofton Ministria.

Ministria e Financave ka ndarë 17 mijë euro për blerjen e një droni