Bie popullariteti i Emmanuel Macronit

Popullariteti i presidentit francez, Emmanuel Macron, ka shënuar rënie prej 3 për qind brenda një muaji, ndërsa popullariteti i kryeministrit Eduard Philippe ka shënuar ngritje për 2 për qind, tregon një hulumtim i bërë nga Ifop, që është publikuar sot në “Journal du Dimanche”.

Hulumtimi, siç raporton AFP, është realizuar pas fillimit të zbutjes së masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19.

39% e francezëve janë shprehur të kënaqur me punën e presidentit për dallim nga 42% në fund të prillit.

Ndërsa, 60% e francezëve nuk e miratojnë punën e Emmanuel Macron, ndërsa në fund të prillit ishin 57%.

Popullariteti i presidentit kishte shënuar një ngritje prej 11 për qind (43 për qind) të fund të marsit, e cila duket se ndërlidhej me menaxhimin e situatës me pandeminë.

Ndërsa, puna e kryeministrit përkrahet nga 46%  e francezëve, për dallim nga 44% para një muaji. Ndërsa, 52 për qind e francezëve janë të pakënaqur me punën e tij, një rënie për 2 për qind.

Hulumtimi është realizuar qoftë përmes aplikacioneve online qoftë përmes telefonit ndërmjet 14 e 23 majit, me çrast janë anketuar 1.918 persona. Shkalla e gabimeve është ndërmjet 1 dhe 2,2 për qind.