Bie niveli i lumit Vjosa, shtëpitë të mbuluara nga balta, dëme të mëdha materiale! Kryeministri Rama viziton banorët

Situata paraqitet më e qetë. Uji është larguar nga banesat, duke lënë pas baltë dhe llum. Gjatë natës, banorët kanë qëndruar te familjarët e tyre. Ata apelojnë për ndihmë, ndërkohë që thonë se dëmet janë të shumta, uji u ka shkatërruar pajisjet elektroshtëpiake.

Unë bëj thirrje kush të më ndihmojë, kush e dëgjon, qeveria tek ajo mbështetemi, edhe bizneset të na ndihmojnë. Emergjencat kanë qenë, kur erdhi uji nuk futej këmbë robi. Shyqyr që doli dielli që të ngrohemi, por çfarë do të bëjmë natën. Fëmijët i kemi të larguar, gjithsekush punon për vete, nuk di çfarë të bëj gruan e kam me problem shëndetësore”, thotë një banor.

Jemi katër pjesëtarë. Çdo gjë është e njomur, edhe pse e kam ngritur shtëpinë, uji hynte nga dritarja. Nuk dimë çfarë do të bëjmë. Natën e kemi kaluar nëpër njerëz. Lavatriçja noton në ujë”, shprehet një tjetër banor.

Në fshatin Ferras ka mbërritur dhe kryeministri Edi Rama, që me grupin e punës po inspektojnë dëmet në terren. Ndërsa në rrugën nacionale Levan-Mifol, që dje ishte e pakalueshme, sot qarkullohet lirshëm./TopChannel