Bie ndjeshëm numri i të infektuarve me COVID-19 në Itali

Italia regjistroi në 24 orët e fundit 2,256 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e ulët në më shumë se një muaj, bëri të ditur Agjencia për Mbrojtjen Civile.

Sipas saj, edhe 454 pacientë kanë vdekur në 24 orët e kaluara, duke e rritur në 24,114 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Italia, një ndër vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi, ka regjistruar në total 181,228 të infektuar.

Prej tyre, 48,877 janë shëruar.

Shifra e sotme e të infektuarve është më e ulëta qysh më 10 mars, kur sëmundja ka nisur të marrë hov në pjesën veriore të Italisë.

Derisa ky vend prin me numrin më të madh të viktimave në Evropë, Spanja ka numrin më të madh të të infektuarve: mbi 200,000.

Në aspektin global, Shtetet e Bashkuara prijnë edhe me numër të të infektuarve, edhe të viktimave. /REL