Tesla, Foto: Elon Musk, Twitter 30.3.2019

Bie aplikacioni i Teslës, shoferët mbesin në rrugë

Dhjetëra shoferë kanë raportuar rënie të aplikacionit të Teslës, ndërsa shefi i kompanisë, Elon Musk, ka kërkuar falje në Twitter.

Qindra shoferë të Teslës patën probleme me makinat e tyre në fillim të fundjavës pasi ra aplikacioni celular i Teslës dhe dhjetra shoferë shprehën ankesat e tyre në mediat sociale, raporton The Guardian.

Elon Musk, shefi ekzekutiv i Teslas, tha të premten se aplikacioni celular i kompanisë po kthehej në përdorim pas rënies duke iu përgjigjur një shoferi në Korenë e Jugut.

“Duhet të kthehemi tani”, tha Musk.

Ndërprerja u raportua fillimisht nga faqja e specializuar e automjeteve elektrike Electrek, e cila filloi të marrë raporte nga pronarët e veturave Tesla në ShBA dhe Kanada, më pas nga Evropa dhe Azia.

Rreth 500 përdorues raportuan se u përballën me rënien e aplikacionit.

“Kërkojmë falje, ne do të marrim masa për të siguruar që kjo të mos ndodhë më”, shkroi Musk në Twitter.

Sipas Electek, sistemet e Teslas rrallë bien, megjithëse në shtator 2020, kompania kishte përjetuar një ndërprerje të plotë si të serverëve të saj me klientë ashtu edhe të sistemit të brendshëm për disa orë.

Stuart Masson, redaktor i faqes së internetit të Car Expert, i tha BBC-së se shoferët e Teslas nuk vareshin plotësisht nga aplikacioni.

“Do të ketë një mekanizëm dytësor për të hyrë ose dalë nga makina përtej aplikacionit, vështirësia do të vijë për shoferët nëse nuk e mbajnë atë”, tha ai.